Ndikimi rus në zgjedhjet, drejtori i FBI dëshmon në Kongres

20/03/2017 08:50

Dy krerë të inteligjencës amerikane dëshmojnë përpara Kongresit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Drejtori i FBI-së, James Comey, dhe shefi i NSA-së, admirali Mike Rogers, do të prekin gjithashtu edhe çështjen e pretendimeve të Donald Trumpit se është përgjuar nga paraardhësi i tij Barack Obama.

Seanca e rrallë dëgjimore në Komisionin e Zbulimit përbën të parën herë që do të ketë një dëgjim të hapur mbi përfshirjen e rusëve në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara.

Trump i ka hedhur poshtë sugjerimet se ai, ose fushata e tij kishin kontakte jopërkatëse me zyrtarët e Rusisë, duke i cilësuar “një gjueti të pastër shtrigash”. Edhe Moska, nga ana tjetër, mohon të ketë ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane, por dyshimet mbeten të mëdha.

Në janar, vet agjencitë e shërbimeve sekrete në SHBA deklaruan se “hacker”-a të mbështetur nga Kremlini kishin hyrë në adresat e postës elektronike të disa drejtuesve të lartë demokratë e kanë publikuar informacione delikate të përfituara në këtë mënyrë, me qëllimin të ndihmohej fitorja e Trumpit mbi Hillary Clintonin.

Raporti i përbashkët i CIA-s, FBI-së dhe NSA-së dilte në përfundimin se fushatën kibernetike e kishte urdhëruar vet presidenti rus Vladimir Putin për të ndikuar zgjedhjet. Që prej atëherë, shefi i Shtëpisë së Bardhë është përballur disa herë me akuzat se, pjesëtarët e ekipit të tij zgjedhor kishin pasur lidhje me zyrtarët rusë.

Komisioni i Zbulimit i ka kërkuar FBI-së të paraqesë emrat e shtetasve amerikanë nën përgjim. Nëse emri i Trumpit apo bashkëpunëtorëve të tij gjenden në atë listë, mund të kuptohet si shenjë se FBI-ja po heton kontaktet ndërmjet fushatës “Trump” dhe Moskës.

Top Channel