Orly/ I rrëmbeu armën ushtarit, por e vrasin

18/03/2017 00:00

Personi i qëlluar për vdekje në aeroportin francez të Orly-t ishte një 39-vjeçar, emri i të cilit figuronte në listën e personave që duheshin mbajtur nën vëzhgim si të dyshuar për terrorizëm.

Personi rrëmbeu armën e një ushtari dhe forcat e sigurisë ndërhynë e hapën zjarr, duke e lënë të vrarë në vend. Incidenti riktheu frikën në një vend të përballur disa herë me sulme terroriste e ku ndjeshmëria ndaj episodeve të dhunës është mjaft e lartë.

Aeroporti u rihap pjesërisht, pas mbylljes në orët e paradites në vazhdën e ngjarjes së cilësuar nga autoritetet si “tejet serioze”. I vrari figuronte ndër të tjera si person i dënuar për grabitje të armatosur.

“Në momentin që u arrit të mësohej identiteti i tij, u bë e qartë se bëhet fjalë për një person i cili ishte i njohur si për policinë, ashtu dhe për shërbimet e inteligjencës. Po zhvillohen hetime për të sqaruar saktësisht çfarë ndodhi dhe cili ishte motivi i gjestit të tij”, tha Bruno Le Roux, ministër i Brendshëm i Francës.

Pasagjerëve në avionë iu ndalua për një farë kohe zbritja në tokë, ndërsa në zonë u dërgua me urgjencë një skuadër ekspertësh të çaktivizimit të bombave. Incidenti shkaktoi ngërçe të mëdha të trafikut në rrugët përreth aeroportit të dytë më të madh të Parisit, të ndodhur 13 km në jug të tij.

Mëngjesin e të shtunës, i dyshuari ishte ndaluar për një kontroll rutinë në veri të kryeqytetit ku kishte qëlluar mbi policinë me një pistoletë me ajër, dhe ishte larguar me makinë. Automjeti, sipas gjasave i vjedhur, u gjet më vonë i braktisur pranë aeroportit.

Vëllai dhe babai i agresorit janë shoqëruar në polici, një procedurë standarde kjo në rastet e sulmeve që dyshohen për sfond terrorist.

Top Channel