Java e modës në Sao Paulo çelet në një kohë recesioni të thellë për Brazilin, i reflektuar edhe te buxheti i kësaj shfaqjeje që u tkurr me gati 40%.

Duke qenë se flitet për rreth një milion dollarë shpenzime më pak, nuk është çudi që emra si Ronaldo Fraga dhe Reinaldo Lourenco kanë zgjedhur të tërhiqen, duke i shtyrë organizatorët të fokusohen më shumë te stilistët e hyre rishtazi në botën e modës.

“Në 22 vitet që zhvillohet java e modës në Sao Paulo, kjo është e pesta krizë e fortë ekonomike për Brazilin, e padyshim është edhe më e rënda. Por besoj se kësaj situate po i vjen fundi. Ne jemi këtu për të qëndruar e për të prezantuar koleksionet e reja dhe për t’iu përshtuar modeleve të reja të biznesit, sepse moda po ndryshon në të gjithë botën”, tha Paulo Borges, organizator.

Trendi i fundit i promovuar në pasarela është “E shoh, e blej tani”. Kjo frymëzoi edhe firmën braziliane “Ellus”, e cila solli veshje “casual”, të gatshme për shitje në faqen e saj të internetit, menjëherë pas prezantimit.

Për gazetaren Gloria Calil, moda braziliane po i përshtatet tendencave të biznesit modern.

“Ekziston një prirje në rritje për të lëvizur drejt produkteve që kanë më shumë në fokus konsumatorin e shpejtë, dhe shprehja e përdorur për këtë është ‘E shoh, e blej’. Kjo po ndodh edhe këtu: çdo gjë që shihni në pasarelë do të dalë menjëherë në shitje për një ditë ose dy”, tha Gloria Calil, gazetare.

Firma tjetër që ekspozoi krijimet e saj në çeljen e shfaqjes ishte “Lolitta”, e cila i pasuroi elementet e përditshmërisë me prekjen e një stili femëror.

Top Channel