Goditja e radhës ndaj Fillon, kostumi 50 mijë euro dhuratë

13/03/2017 00:00

Rilancimi i fushatës elektorale të kandidatit presidencial francez, Fransua Fillon, është trazuar sërish të hënën nga aludimet për gardërobën e tij, kjo pas disa akuzash në gazeta sipas të cilave ai kishte pranuar kostume luksoze si dhurata.

“Journal du Dimanche”, të dielën, shkruante se ai kishte marrë dhuratë kostume me vlerë rreth 50 mijë euro, nga rrobaqepësit shik parisien, Arnys. Gazeta shkruante se mes të tjerave, në gardërobën e aspirantit për president, kishin hyrë nga ky butik edhe një xhaketë blu dhe kollarja që ai kishte veshur ditën e zgjedhjeve në primaret presidenciale të konservatorëve në nëntor.

Duke folur për radion Europe 1, të hënën, Fillon nuk mohoi që të kishte marrë dhurata edhe pse ai hodhi poshtë detajet e këtyre akuzave më të fundit.

“Unë nuk do t’i përgjigjem pyetjeve për këtë temë. Është jeta ime private. Nuk i përket askujt. Mua më lejohet të marr dhuratë një kostum nga një mik, kjo nuk është e ndaluar”,-tha Fillon, i cili theksoi se është vendosur në qendër të një fushate shpifjesh.- “Si e shpjegoni faktin që dhjetëra gazetarë, gërmojnë në sirtarët  mi për të mësuar diçka për kostumet e mia, nesër për këmishat, përse jo, ndoshta edhe për të brendshme një ditë. Francezët mund ta shohin qartë se në këtë garë presidenciale, vetëm një person është në shënjestër të sulmeve…po të tjerët?”.

Sidoqoftë, këtë radhë, shumë parisienë dukeshin të pashqetësuar nga raportet dhe thonë se ka çështje më të rëndësishme në lojë në këtë fushatë. Performanca e Fillon u godit rëndë më herët nga akuzat sipas të cilave ai kishte paguar gruan e tij për një punë që ajo nuk e kishte bërë dhe për këtë rast ai pritet të dalë para gjykatësve të mërkurën.

Top Channel