Ushtria e Kosovës, ministri Demolli: Do ta votojmë projektligjin për FSK-në

13/03/2017 00:00

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka thënë se së bashku me grupin parlamentar të LDK-së do ta përkrahin “projektligjin e FSK-së”, në momentin që ai do të dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur në një intervistë të dhënë për “KosovaPress”, Demolli tha se projektligji do t’i dorëzohet të martën Qeverisë së Kosovës, së bashku me opinionin e dikasterit të drejtuar prej tij.

“Me nismën e presidentit të shtetit, i cili konform dispozitave kushtetuese dhe ligjore ka të drejtë të kërkojë aprovimin e ligjeve nga fusha e veprimtarisë së tij, javën e kaluar i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit projektligjin për FSK-në, në të cilën parashikohet zgjerimi i misionit të FSK-së në të ardhmen. Ky projektligj i është proceduar edhe Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit, i cili e ka përcjellë te tri ministritë përkatëse, përfshi Ministrinë e FSK-së për opinion. Veç nesh është dërguar te Ministria e Financave për deklaratën financiare, si dhe te Ministria e Integrimit Europian për pajtueshmërinë apo përputhshmërinë e tij me ligjet e Bashkimit Europian. Ne e morëm javën e kaluar atë dhe unë, së bashku me drejtues të lartë kemi caktuar dy grupe pune. Njëri prej tyre është marrë me trajtimin dhe studimin e ligjit, në mënyrë që të japim opinionin tonë. Nesër pritet të kemi një prezantim të grupit të punës para drejtuesve të lartë të Ministrisë së FSK-së, ndërsa kemi planifikuar që ta procedojmë më pas edhe Qeverisë së Kosovës po gjatë së martës”, tha Demolli.

Demolli thotë gjithashtu se do të ndihej mirë, nëse gjatë periudhës që është ministër i FSK-së të ndodhë edhe transformimi i kësaj force në ushtri të Kosovës.

“Unë di që nismëtari i ligjit, respektivisht presidenti i Republikës së Kosovës, ka deklaruar publikisht që çdo veprim që ka ndërmarrë Presidenca është në koordinim dhe bashkërendim me faktorin ndërkombëtar. Ndaj besojmë se një koordinim dhe bashkërendim i tillë ekziston. Gjithsesi ne do ta përkrahim. E kam theksuar më parë publikisht, e sërish e them se unë, si ministër i FSK-së, por edhe grupi parlamentar i LDK-së do ta përkrahë atë, sepse nuk besoj që ka shqiptar në Kosovë, i cili nuk e dëshiron një gjë të tillë të ndodhë sa më parë të jetë e mundur”, tha më tej ai.

Demolli shprehet se ka zhvilluar biseda me partnerët strategjikë të Kosovës, por nuk ka marrë ndonjë vërejtje apo shqetësim nga ta lidhur me projektligjin për FSK-në. Demolli  shprehet i vendosur se, me apo pa pëlqimin e faktorit ndërkombëtar, ata do të jenë pro këtij projektligji.

Projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës ka si nismëtar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ia dorëzoi atë kryeparlamentarit Kadri Veseli. Një ditë më vonë, Kryesia e Kuvendit e ka proceduar projektligjin në Qeverinë e Kosovës, e cila ka një muaj afat ta procedojë për votim në Kuvend. Ky projektligj ka ngjallur reagim te faktori ndërkombëtar, përfshi NATO-n dhe SHBA-të, që kanë deklaruar se transformimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe jo në mënyrë të njëanshme përmes projektligjit për FSK-në.

Top Channel