Polonia këmbëngul: Jo shpejtësi të ndryshme në BE

10/03/2017 00:00

Qeveria polake paralajmëroi partnerët europianë se nuk do të pranojë një Europë me shpejtësi të ndryshme, duke kërcënuar që të thellojë tensionet në samitin e Brukselit. Kryeministrja polake Beata Szydlo akuzoi presidentin francez Francois Hollande se po përpiqet t’i bëjë shantazh Polonisë, në kuadër të debatit të hidhur për liderin e BE, Donald Tusk.

“Nëse dikush thotë se nuk po sillesh mirë, atëherë nuk merr paratë dhe kjo është e papranueshme”, deklaroi Szydlo.

Analistët thonë se ka mjaft mbështetje për idenë që anëtarët e BE të lëvizin me shpejtësi të ndryshme dhe vende si Gjermania, Franca e Italia e mbështesin këtë, por Polonia është plotësisht kundër. Varshava zyrtare dhe fqinjët e saj ish-komunistë druhen se do të mbesin pas, nëse partnerët e tyre më të fortë integrohen në më shumë fusha, sidomos në Eurozonë. Polonia është përfituesi më i madh i fondeve të BE dhe në vitin 2015 mori 13,4 miliard euro nga unioni.

Por buxheti europian do të ketë probleme kur të largohet Britania, një prek kontribuuesve më të mëdhenj. Kjo do të thotë se do të ketë më pak fonde për Poloninë që bashkë me idenë e vendeve të caktuara që ecin përpara më shpejt, përkthehet në problem serioz.

Qeveria nacionaliste polake nuk mund që të bllokojë riemërimin e Donald Tusk në krye të Këshillit të Europës dhe kjo do të thotë se nuk pati konsensus. Me Brexit në prag dhe sfida të tjera si kriza e emigrantëve, rilindja e fuqisë ruse dhe nacionalistët në shumë vende të BE, duhet parë nëse samiti i 25 marsit në Romës për 60 vjetorin e BE do të arrijë vërtetë që të theksojë unitetin e unionit.

Top Channel