CIA, hetim për dekonspirim

09/03/2017 00:00

Agjencia Qendrore e Inteligjencës në SHBA dhe Byroja Federale e Hetimit kanë nisur një hetim penal mbi publikimin e dokumenteve sekrete të cilat shpjegojnë në detaje aftësitë hakeruese të CIA-s.

Të dyja agjencitë e fuqishme amerikane kanë bashkuar forcat pas nxjerrjes së të dhënave nga platforma WikiLeaks.

Dokumentet besohet se ekspozojnë arsenalin e CIA-s për hakerim, apo për të përgjuar njerëzit përmes mikrofonëve në telefonët celularë dhe pajisje të tjera elektronike, siç janë aparatet televizive inteligjente.

Asnjë zyrtar i lartë i saj, FBI-së apo Shtëpisë së Bardhë nuk ka bërë deri tani ndonjë koment mbi autenticitetin e dosjeve të publikuara të martën.

Por firmat e mëdha amerikane të teknologjisë, thotë VOA, nuk pritën konfirmimin e autoriteteve që të nisnin nga puna për të përmirësuar pikat e dobëta të sistemeve të tyre operuese.

Apple njoftoi të mërkurën se ka filluar të zgjidhë shumë prej çështjeve të identifikuara në dokumentet e nxjerra nga Wikileaks, ndërsa do të punojë me shpejtësi për të trajtuar çdo dobësi që mund të identifikohet.

“Samsung” bëri një koment të ngjashëm, duke thënë se po e trajton çështjen me shumë urgjencë. “Mbrojtja e privatësisë së konsumatorëve dhe siguria e pajisjeve tona kanë përparësi kryesore për kompaninë”, u shprehën drejtues të saj në Seul.

Sipas dokumenteve të WikiLeaks, CIA kishte zbuluar dobësi brenda programeve operuese të përdorura nga Apple, Google, Microsoft dhe prodhues të tjerë amerikanë, por në vend që të informonte kompanitë për problemet, ajo i la njerëzit të ekspozuar ndaj mundësisë së hakerimit.

Top Channel