Marinsat amerikanë nën hetim, publikuan foto të kolegeve të tyre

06/03/2017 00:00

Një raport i ri ka zbuluar se qindra marinsa po hetohen nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes pasi kanë ndarë disa foto të kolegeve të tyre femra në një grup në “Facebook”.

Grupi, i quajtur “Marines United”, ka me qindra ose mijëra foto femrash me uniformë, disa prej të cilave në detyrë, foto këto të bëra pa dijeninë e tyre. Grupi sekret në “Facebook”, ka rreth 30 mijë ndjekës dhe shumë pjesëtarë të tij kanë bërë komente seksualisht agresive për viktimat.

Grupi kishte një lidhje me një folder në “Google Drive”, ku ruheshin fotot. Pjesëtarë të grupit nxisnin madje të tjerë, që të hidhnin foto të femrave pa dijeninë e tyre. Folderi ku ruheshin fotot, gjithsesi është fshirë, me kërkesë të ushtrisë.

Nuk është e qartë nëse departamenti i mbrojtjes e di apo jo se sa marinsa aktualë apo të larguar mund të jenë përfshirë në këtë rast.  Një ish-marins në fakt e ka raportuar këtë ngjarje muajin e shkuar duke marrë falenderimet e zyrtarëve.

Këto lloj grupesh nuk janë një risi. Në 2013-ën, përfaqësuesja e Kalifornisë, Jackie Speier, kishte denoncuar një grup të ngjashëm marinsash në Facebook dhe kishte propozuar disa projektligje që kishin si qëllim të reduktonin sulmet dhe ngacmimet seksuale në marinë.

Në një raport që pentagoni ka publikuar në maj të 2016-ës, thuhej se ushtria amerikane kishte marrë rreth 6 mijë raporte të sulmeve seksuale në 2015, numër ky i ngjashëm me atë të vitit paraprak, por krime të tilla, mbeten ende të pa raportuara në një shkallë të gjerë.

Top Channel