Kostoja e bojkotit të “Listës Serbe”

26/02/2017 00:00

Bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga zyrtarët e “Listës Serbe” i kanë kushtuar buxhetit kosovar plot 93.880 euro. Vendimi i marrë 10 tetorin e kaluar, në shenjë kundërshtimi për miratimin e ligjit për “Trepçën”, ka sjellë largimin e zv.kryeministrit, ministrave dhe deputetëve përfaqësues të serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, pavarësisht bojkotit, ata vazhdojnë t’i marrin edhe sot pagat e majme që kanë për funksionet e tyre. Më konkretisht në 5 muajt e fundit, zv.kryeministri Branimir Stojanoviç ka përfituar 6.775 euro, bazuar në pagën prej 1.355 eurosh në muaj; ndërsa ministrat e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të Komuniteteve dhe Kthimit kanë përfituar 12.705 euro, bazuar në pagën prej 1.270 eurove që kanë.

E nëse llogarisim se një deputet i Kuvendit të Kosovës paguhet me 1.488 euro në muaj, 10 përfaqësuesit e “Listës Serbe”i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 14.880 euro në muaj, e rrjedhimisht 74.400 euro në total.

Përfaqësuesit e “Listës Serbe”, pas bojkotimit të institucioneve të Kosovës kanë takuar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e më pas lëshuan një komunikatë për mediet ku thuhej se do t’i bojkotonin institucionet në bazë të vendimit të Vuçiçit.

“Ju njoftojmë se ne, ligjvënësit serbë në institucionet e përkohshme të Kuvendit të Kosovës, do t’i zbatojmë të gjitha vendimet e presidentit Vuçiç dhe se ngrijmë të gjitha aktivitetet në Kuvend dhe Qeveri. Gjithashtu, në përputhje me kërkesën e Aleksandar Vuçiçit është marrë vendim që Mirjana Jevtiç të tërhiqet nga posti i ministres, pasi edhe ajo si serbe e Kosovës respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrit të Serbisë”, thuhej në komunikatën e tyre pas atij takimi.

Top Channel