Kryemadhi zbulon strategjinë: Shafran, në vend të kanabisit

24/02/2017 00:00

Në mesin e debateve lidhur me kanabisin, LSI vjen me një propozim të ri, i cili sipas saj do të çojë në largimin e njerëzve nga mbjellja e kanabisit dhe kultivimin e një kulture tjetër.

“Ne jemi duke punuar për një strategji shumë interesante e cila shumë shpejt do të prezantohet për të bërë të kundërtën e asaj që po ndodh sot në Shqipëri, pra për të bërë të kundërtën e zhvillimit të kanabisit, për të rritur një kulturë tjetër e cila është shumë më e shtrenjtë, shumë më e kultivueshme, e cila është shafrani, e cila në Dumre është një zonë eksperimentale dhe të ardhurat janë të mëdha”, tha Monika Kryemadhi, deputete  e LSI-së.

Këto deklarata, deputetja Monika Kryemadhi i bëri nga Elbasani, ku bashkë me Ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti dhe deputetin e PS-së Taulant Balla, bënë kompensimin për fermerët e prekur nga dermatoza nodulare.

Prezenca e Kryemadhit në Elbasan, duket se përforcon zërat, se ajo do të jetë kandidate për deputete e LSI-së në këtë qark. Por edhe prania e Taulant Ballës, u duk se e ktheu këtë takim, në një nisjë fushate elektorale. Të pyetur nga gazetarët, as Balla e as Kryemadhi nuk e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

“Unë nuk mendoj që po përdoret për fushatë, duke pasur parasysh që çdo gabim që bën qeveria, ana tjetër e përdor për fushatë, ashtu sikurse çdo të mirë që bën qeveria apo institucionet që kanë për detyrë ta bëjnë, nuk mendoj që përdoret për fushatë”, tha znj. Kryemadhi.

“Le të merremi sot me problemet e fshatarëve të varfër të cilët humbën një prej pasurive të tyre më të rëndësishme, siç janë lopët, për pjesën tjera kemi kohë të merremi”, tha Balla.

Duke u rikthyer tek kompensimi, Ministri Panariti tha se ky proces do të përfundojë në të gjithë vendin deri në muajin prill. Gjatë takimit u shpërndanë 80 lopët ndërsa numri total i lopëve të ngordhura në qarkun e Elbasanit është 288.

Top Channel