Papa Françesku: Më mirë ateist, sesa katolik hipokrit

23/02/2017 00:00

Papa Françesku lëshoi një tjetër kritikë për pjesëtarë të klerit katolik gjatë kësaj të enjteje, teksa tha se është më mirë të jesh ateist, sesa një prej “shumë” katolikëve që, sipas tij, jetojnë me një jetë të dyfishtë hipokrite.

Në komentet e bëra gjatë meshës private në rezidencën e tij, Ati i Shenjtë shtoi më tej se “është skandaloze të thuash tjetër gjë e të bësh tjetër gjë. Kjo është një jetë e dyfishtë”.

“Ka nga ata që pretendojnë se ‘janë katolikë të devotshëm, shkojnë gjithnjë në mesha, i përkasin njërës shoqatë apo një tjetre”, u shpreh kreu i mbi 1.2 miliardë katolikëve romanë, sipas një transkripti të “Radio Vatikanit”. Por sipas tij, disa prej këtyre personave duhet të pranojnë gjithashtu se “jeta e tyre nuk është prej një të krishteri të vërtetë, se ata nuk u japin pagat punonjësve të tyre, i shfrytëzojnë njerëzit, bëjnë punë të pista, pastrojnë parà, apo bëjnë një jetë të dyfishtë”.

“Ka shumë katolikë që janë të tillë, e kjo përbën një skandal për kishën, – tha Papa Françesku. – Sa herë kemi dëgjuar njerëzit të thonë se, nëse ky lloj personi është katolik, atëherë do të jetë më mirë të jesh ateist”.

Që prej zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike në vitin 2013, Papa argjentinas u ka thënë shpesh katolikëve, qoftë priftërinjve edhe laikëve, të praktikojnë ato që predikon feja e tyre.

Në predikimet e tij shpesh të dala nga kornizat apo parapërgatitjet, Ati i Shenjtë ka dënuar abuzimin seksual të fëmijëve të mitur nga priftërinjtë, duke e quajtur këtë ves të barazvlefshëm me një “meshë satanike”, u ka thënë katolikëve që janë pjesë e mafias të vetpërjashtohen, e madje edhe kardinalëve të tij të mos veprojnë si të ishin “princa”.

Në më pak se dy muaj pas zgjedhjes së tij, Françesku tha se të krishterët duhet t’i shohin ateistët si njerëz të mirë, nëse ata vërtet bëjnë gjëra të mira.

Top Channel