Këndi i forcës tek Liqeni, Veliaj: Mbarojmë investimet në kohë rekord

23/02/2017 00:00

Këndi i forcës tek liqeni Artificial ka përfunduar në kohë rekord për bashkinë e Tiranës, dhe kreu i saj, Erion Veliaj tha se kur institucioni lejohet të punojë, investimet mbarojnë shumë shpejt.

“Sot, besoj, s’ka asnjë dyshim se kur Bashkia lihet të punojë, ne i mbarojmë investimet në kohë rekord. Ky kënd është investim i vogël, por me rëndësi të madhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Sigurisht, do të vijojmë edhe me parqet e tjera. Tashmë, ka ardhur koha që vëmendjen ta kthejmë te investimet tona në parqet e Kasharit, Farkës, Dajtit dhe Pezës, për t’u siguruar që Tiranës i trashëgojmë 4-5 parqe”, është shprehur Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se hapësira të tëra, që më parë ishin zaptuar, janë kthyer në hapësira publike për qytetarët, ndërsa shtoi se ky kënd i ri vjen edhe si një inkurajim për t’u marrë më shumë me aktivitete sportive.

“Me këtë kënd force propozojmë një alternativë ndryshe nga interneti, bingot, bastet dhe kafet; një hapësirë në natyrë, në ajër të pastër, me të gjitha kushtet, si një palestër në ajër të hapur, e cila mund të shijohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës, frekuentues të Parkut të Liqenit”, tha ai.

Kreu i Bashkisë falenderoi anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesit e njësive administrative për marrjen e vendimeve të rëndësishme në të mirë të qytetarëve.

Top Channel