Njerëzit e Trump, në Meksikë

23/02/2017 11:10

Dy zyrtarë të lartë amerikanë ndodhen në Meksikë për të diskutuar me presidentin Enrique Pena Nieto politikat e reja kufitare të Uashingtonit.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson dhe shefi i Sigurisë Kombëtare, John Kelly kanë mbërritur në Mexico City në mesin e mosmarrëveshjeve më të mëdha të këtyre viteve të fundit mes dy vendeve fqinje.

Zyrtarët meksikanë i kanë dënuar ashpër udhëzimet e reja të SHBA-së, në bazë të të cilave pothuajse të gjithë emigrantët e paligjshëm mund të jenë subjekt deportimi. Rregullat e reja parashikojnë dërgimin në Meksikë të personave që kapen pa dokumente qëndrimi, edhe nëse ata nuk janë meksikanë.

Luis Videgaray, ministër i Jashtëm i Meksikës, tha: “Dua ta bëj të qartë dhe ta theksoj këtu me forcë se ekzekutivi i Meksikës dhe populli meksikan nuk do të pranojë vendime që një qeveri i imponon në mënyrë të njënashme ndaj një qeverie tjetër”.

Nuk është ende e qartë nëse Shtetet e Bashkuara e kanë autoritetin ta detyrojnë Meksikën të pranojë shtetasit e huaj të dëbuar nga Amerika. Administrata e mëparshme fokusohej kryesisht tek deportimi i emigrantëve të dënuar për krime të rënda. Prioritetet tani janë zgjeruar, duke përfshirë pothuajse çdo emigrant të paligjshëm.

Shtëpia e Bardhë njoftoi ndërkohë se urdhri i ndalimit të udhëtimeve, të cilin Trump pritej ta nxirrte këto ditë, është shtyrë për javën tjetër.

Top Channel