Bayern i “dehur” pas Champions, por e shpëton Lewandowski

18/02/2017 00:00

Pas fitores bindëse 5-1 të mërkurën në Champions League ndaj Arsenalit, Bayern Munchen ka bërë një hap të gabuar në Bundesligë, duke barazuar në transfertën e Hertha-s këtë të shtunë.

Vendasit shënuan me Ibisevic që në minutën e 22 të pjesës së parë, ndërsa të besuarit e Ancelotti-t i shpëtoi i përhershmi Lewandowski me një gol në minutën e 96 të ndeshjes.

Megjithatë, ky barazim nuk është se i lëkund pozitat në krye të klasifikimit për Bayern-in, duke qenë se Leipzig-u i vendit të dytë është 8 pikë pas, ndërsa do ta luajë ndeshjen e kësaj jave ditën e nesërme ndaj Monchengladbach.

Ndërkohë, Borusia Dortmund është rikthyer me një fitore bindëse në kampionat, duke mposht 3-0 Wolfsburg-un.

Në ndeshjet e tjera të Bundesligës, Ingolstadt fitoi në fushën e Eintrachtit Frankfurtit 2-0. Me rezultatin 2-0 fituan edhe Hoffenheimi e Werder Bremen në sfidat e tyre ndaj Darmstadt dhe Mainzit.

Top Channel