Shkëndija “rozë” pas daljes së parë?

17/02/2017 00:00

Kur ylli kanadez i tenisit, Eugenie Bouchard pranoi të dilte me një student, pasi humbi bastin e vendosur në “Twitter”, dukej se gjithçka do të mbyllej vetëm me kaq. Por në dashuri, sikurse edhe në tenis, ka gjithmonë hapësirë për surpriza.

Duke folur në lidhje me mbrëmjen e kaluar me 20-vjeçarin John Goehrke, Bouchard e quajti atë “xhentëlmen”, ndërsa pasditja ishte “e këndshme”. Por, e pyetur nga një reporter nëse, pas kësaj daljeje do të kishte një të dytë, ajo u përgjigj thjesht dhe shkurt: Sigurisht!

Saga e kësaj “lidhjeje origjinale” ka joshur miliona fansa, pasi u arrit përmes rrjeteve sociale në sytë e të gjithëve, por pikënisja ishte pikërisht drama e finales së “Super Bowl”-it amerikan.

Ndërsa Atlanta Falcons ndodhej në avantazh 21-0, Bouchard parashikoi fitoren e tyre në “Twitter”. Por një tifoz i New England Patriots, i njohur tashmë si Goehrke, vendosi ta sfidonte atë me një dalje së bashku, pasi ekipi i preferuar i tij do të triumfonte në fund. Ajo e pranoi bastin dhe e humbi atë. “Patriots” arritën ta përmbysnin rezultatin në minutat e fundit të sfidës dhe të fitonin trofeun.

Bouchard, 22 vjeç, qartësisht një vajzë që e mban fjalën e dhënë, u takua me studentin nga Universitetii Missourit në Nju Jork gjatë së mërkurës, për të parë së bashku sfidën e basketbollit mes Brooklyn Nets dhe Milwaukee Bucks. Natyrshëm që nuk mund të mungonte publikimi i një fotoje në momentin që do të shkonin për ndeshjen. E lindura në Montreal kishte siguruar biletat në radhën e parë të publikut.

Bouchard, dikur finaliste e “Wimbledon”-it, tashmë renditet në vendin e 44-t për tenistet femra.

Sinjalet e para pas këtij takimi duken pozitive, e kjo u duk kur tenistja publikoi një foto të Goehrkes teksa e puthte në faqe pas sfidës së basketbollit. E kur faqja “TMZ” e pyeti sesi kishte shkuar dalja e parë, ajo u shpreh:

“Ai erdhi e më mori nga hoteli im si një xhentëlmen i vërtetë dhe shkuam së bashku atje. Më kishte bërë një dhuratë të vogël të këndshme. E shijuam ndeshjen dhe mund të them se është një tifoz normal, jo i çmendur”. Por ajo pranoi se, ishte ndierë “me fat” që personi i panjohur për të rezultoi të ishte një djalë i mbarë. “Pjesa më e habitshme është se ajo pranoi të dilte me mua, pa më njohur kush isha”, tha tifozi me fat.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel