Australi, 276 mln dollarë kompensim viktimave të abuzimit

16/02/2017 00:00

Kisha Katolike ka dëmshpërblyer me 276 milionë dollarë mijëra viktimat e abuzimeve seksuale nga pjesëtarë të klerit që prej vitit 1980. Kjo u bë e ditur në një raport të Komisionit mbretëror, që po heton skandalin e abuzimeve, që zbuloi për herë të parë kompensimin total që u ka paguar shkollave kishtare, jetimoreve apo institucioneve të tjera.

Siç thuhet, 3.066 viktima kanë siguruar një formë kompensimi nga kisha në 35 vite. Shuma mesatare që ka siguruar një person është 91 mijë dollarë. Disa kompensime nuk kanë qenë në parà “cash”.

Komisioni mbretëror, forma më e lartë hetimore në Australi, ka dëgjuar më herët se 7 për qind e priftërinjve që kanë shërbyer në Australi mes viteve 1950 dhe 2010 ishin akuzuar për krime seksuale, por vetëm pak prej tyre ishin ndjekur penalisht.

Shifrat bazohen tek analizimi i të dhënave të arkivuara nga autoritetet e Kishës Katolike. Komisioni, i cili është vlerësuar nga përfaqësuesit e viktimave për një prej hetimeve më gjithëpërfshirëse lidhur me skandalin, pritet t’ia paraqesë përfundimet e tij qeverisë në muajin dhjetor.

Top Channel