Vlahutin: Reforma në drejtësi do të hasë rezistencë

15/02/2017 00:00

Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin ka paralajmëruar se ndaj reformës në drejtësi do të haset rezistencë dhe se fushatat intimiduese vetëm do të rriten.

“Procesi i Vettingut ka nisur zyrtarisht. Pra, po dëshmojmë hapat e parë konkretë të reformës në drejtësi. Besoj se Vettingu shkon përtej sistemit të drejtësisë. Një sistem gjyqësor i ndershëm, i pavarur dhe i përgjegjshëm nuk është thelbësor vetëm për demokracinë, por edhe për ekonominë e tregut”, ka thënë Vlahutin.

Diplomatja europiane i ka kërkuar biznesit që të dalë hapur në mbrojtje të kësaj reforme, e cila sipas saj shkon përtej drejtësisë.

“Komuniteti Ndërkombëtar ka qenë i përfshirë në shtyrjen përpara të reformës, por besojmë se ju, investitorët, gjithashtu duhet të shtoni zërin e mbështetjes. Çdo ditë nga sot do të hasim rezistencë ndaj këtij ndryshimi dhe fushatat intimiduese veçse do të rriten. E kemi të qartë këtë, por në muajt që vijnë është thelbësore të dëgjojmë zërin tuaj në favor të reformës për sundimin e ligjit, për të mbështetur investimet dhe rritjen”, ka thënë Vlahutin.

Top Channel