Vettingu për integrimin, Strazburgu voton rezolutën për Shqipërinë

15/02/2017 00:00

Me 546 vota pro, 85 kundër dhe 62 abstenime, Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë e hartuar nga raportuesi Knut Fleckenstein.

Eurodeputetët kanë vleresuar progresin e Shqipërisë për 5 prioritetet në lidhje me çeljen e negociatave me BE-në.

Nga ana tjetër, rezoluta vëren se “zbatimi i besueshëm i reformës në drejtësi me rivlerësimin e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë, rezultatet konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit me hetime e ndëshkime në nivele të larta, mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 18 Qershor 2017 dhe dekriminalizimi  janë kyçe për ecurinë e procesin të anëtarësimit në BE dhe hapjen e negociatave”.

Në përfundim të votimit të rezolutës, hartuesi i saj, eurodeputeti gjerman Fleckenstein tha:

“Që nga vera e vitit 2014, kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat, është realizuar një progres të qëndrueshëm. Miratimi i reformës në drejtësi me konsensus të gjerë përbën një moment historik në përpjekjet e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për të ndërtuar një shtet modern. Sa më pak korrupsion, sa më pak krim të organizuar është me rëndësi të veçantë për jetën e përditshme në Shqipëri. Sidoqoftë, ne nuk duhet të shtyjmë vazhdimisht vendimin që të nisim negociatat e anëtarësimit”, deklaroi Fleckenstein.

Votimin me mazhorancë absolute të rezolutës së re për Shqipërine e vlerësoi edhe raportuesi i djathtë Eduart Kukan.

“Jam krenar të shoh progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe shpresoj që ky trend të vijojë dhe ne të jemi në gjendje të vendosim së shpejti një datë për hapjen e negociatavve. Konsensusi politik për miratimin e reformës në drejtësi ishte një hap i rëndësishëm, ndërsa zbatimi i saj do të rrisë besueshmërinë e qytetarëve tek gjyqësori dhe shteti ligjor. Ndaj mbështesim misionin ndërkombëtar të monitorimit të reformës. Dialogu i qëndrueshëm politik është thelbësor për vendin, prandaj i bëj thirrje politikanëve shqiptarë për të bërë përpjekje për adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR para zgjedhjeve parlamentare të radhës. Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për funksionimin e sistemit demokratik dhe pjekurinë politike. Unë shpresoj se zgjedhjet parlamentare do të jenë një mundësi e mirë që partitë politike të vëzhgojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Është një shans për kulturën e re politike që të mënjanojë emërimin e njerëzve me të kaluar kriminale në poste publike”, tha Kukan.

Top Channel