Fasadat e “gjalla”, Veliaj: Do t’i kthejmë në piktura për fëmijë

15/02/2017 00:00

Ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijët e kryeqytetit, në qendër dhe në periferi, po shoqërohet edhe me përmirësimin e fasadave të pallateve.

“Ne do të vazhdojmë që disa nga fasadat e qytetit t’i kthejmë në piktura për fëmijët, që të ketë më shumë argëtim. E di që fasada nuk është gjithçka, por krijon një atmosferë, e bën komunitetin të duket më i pastër, e bën lagjen më estetike, gjithashtu na jep kënaqësi që të kalojmë edhe më shumë kohë me njëri-tjetrin. Kështu që nuk kemi bërë vetëm një kënd lodrash, por kemi bërë një hapësirë për komunitetin”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Muralet, të njohura ndryshe edhe si arti i rrugës, një kulturë e njohur veçanërisht në vendet perëndimore, janë edhe një formë rebelimi ndaj sistemit apo shoqërisë. Dikur në vendin tonë, muralet përdoreshin nga sistemi komunist për propagandë politike. Sot Bashkia e Tiranës i ka rikthyer në art të lirë, që zbukuron dhe ndërgjegjëson.

“Duke qenë se këtu do të bëhej një kënd lojërash, atëherë mendova përse të mos ktheheshim pas në kohë me lojërat e dikurshme. Një vepër duhet të ketë edhe një mesazh që të mbetet”, thotë Franko Dine, piktor.

Franko është një nga piktorët që mbështeten financiarisht nga Ndërmarrja e Dekorit në bashki, i cili thotë se ky art ka të veçantë edhe mënyrën sesi përqafohet nga qytetarët.

“Njerëzit e interpretojnë në mënyra të ndryshme një imazh të caktuar”, thotë Franko Dine.

Top Channel