Vllaznia, tifozë e lojtarë “rikthejnë” trajnerin Cungu

14/02/2017 00:00

Vllaznisë i është rikthyer qetësia pas takimit që ka bërë kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, me trajnerin Armando Cungu dhe drejtuesit e tjerë, fundjavën e shkuar. Ishte pikërisht deklarata e trajnerit shkodran pas fitores me Flamurtarin, që ndezi mesa duket sirenat e alarmit.

“Edhe pse kam fituar, kam menduar të diskutoj me klubin nëse mund të gjej marrëveshjen edhe për t’u larguar. Jam lodhur nga presioni i tepërt”, u shpreh trajneri Cungu.

Por garancia e kryetares së bashkisë nuk ka qenë shtysa e vetme për Armando Cungun, që të vendosë të qëndrojë. Në një intervistë për Top Channel, ai zbulon një sekret të vogël të lidhjes së tij me lojtarët.

“Kam pasur shumë telefonata dhe mesazhe nga sportistët, të cilat realisht edhe më kanë prekur. Sikurse më kanë forcuar më tepër jo vetëm mua, por edhe vet ata, çfarë tregon për një lidhje shumë të fortë, e nëse mund të them për një bashkëpunim shumë të ngushtë mes meje dhe këtyre djemve të mrekullueshëm”, deklaron trajneri i Vllaznisë Armando Cungu.

Ndryshe nga qytetet e tjera, Shkodra është një qytet që e dashuron futbollin dhe, pavarësisht problemeve të shumta që mund të ketë bashkia, për qytetarët ky sport është parësor.

“Unë e njoh mirë Shkodrën, jam shkodran. Shkodra jeton me futbollin. Vllaznia është institucion, ndërsa shkodranët nuk duan t’ia dijnë nëse e kanë të shtruar rrugën e shtruar te rrugica e shtëpisë së tyre, por pyesin sesi ka dalë Vllaznia”, thotë më tej Armando Cungu.

Ndërkohë që për të gjithë kritikët dhe fjalët që qarkullojnë, Armando Cungu ka një përgjigje.

“Duke qenë modest, ndonjëherë në Shqipërinë tonë ta marrin për dobësi. Por them se e bëj dhe e bëj shumë mirë punën time, siç e kam bërë gjithmonë në çdo klub ku kam qenë. Siç e bëra edhe vjet, kur arrita ta shpëtoj Vllazninë nga rreziku që i kanosej”, thotë Cungu.

Top Channel