Lu-Meta bëjnë paqe. Ambasada: Bashkë për reformën

14/02/2017 00:00

Fokus te reforma, por me emocione të ndryshme ka qenë takimi i mëvonshëm i ambasadorit Lu me Ilir Metën. Zoti Meta e përshkroi takimin prej 1 orë e 50 minutash si konstruktiv, edhe pse ky ishte një takim pas deklaratës së ministrit të ri të Drejtësisë, Petrit Vasili, se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me bordin e krijuar po vepron me mekanizma ekstrakushtetues.

“Nuk jam këtu për të diskutuar për detaje apo çështje të ndryshme, por për të konfirmuar edhe një herë vullnetin tonë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjithë institucionet brenda vendit, që kanë përgjegjësitë e tyre në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe në mënyrë të veçantë me Ambasadën amerikane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner kyç në këtë reformë”, tha Meta.

Si rrallëherë për takimet me Metën, edhe Ambasada nxori një njoftim zyrtar.

“Ambasadori Donald Lu dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilluan një takim pozitiv sot. Ambasadori Lu u angazhua të vazhdojë të punojë ngushtë me Parlamentin për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ambasada e SHBA-ve ka besim të madh që me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Meta, Shqipëria do të realizojë këtë reformë historike për të gjithë shqiptarët”.

Një deklaratë që konfirmon se mes Donald Lu dhe Ilir Metës është rikthyer paqja. Së paku për momentin.

Top Channel