Mbrojtja e fëmijëve, Klosi: Ndryshimet në ligjin e ri

13/02/2017 00:00

Projektligji për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre u miratua në parim ditën e hënë, në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ndërsa pritet të kalojë për miratim në Parlament. Po cilat janë të rejat që synon të sjellë ky ligj i ri?

“Ligji i ri kërkon që të ketë një përfshirje shumë më të madhe të punonjësve socialë në jetën e fëmijëve, kërkon që një në 3.000 fëmijë të ketë një punonjës social. Risi tjetër është fakti se, nëse fëmija merret në mbrojtje, e drejta e prindërimit mund të pezullohet. Me këtë ne mbyllim një hendek shumë të madh ligjor, pasi deri më tani ka qenë e pamundur që fëmija të merrej në mbrojtje, nëse prindi nuk ishte dakord, deri në një urdhër mbrojtjeje nga gjykata”, tha ministri Blendi Klosi.

Projektligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve do të detyrojë profesionistët si mësuesi, mjeku, infermieri dhe punonjësi social të raportojnë pranë njësive për mbrojtjen e fëmijëve, nëse vërejnë se një fëmijë abuzohet.

Mosraportimi, edhe në rastet kur është thjesht dyshim, do të shoqërohet me sanksione. Sa i takon braktisjes në shkolla, pr.ligji i ri detyron edhe bashkitë për qasje.

“Pr.ligji krijon detyrime për strukturat e mbrojtjes së fëmijëve. Në momentin që ata identifikojnë një fëmijë që nuk është në shkollë, ligji i ka dhënë detyrime strukturave që janë ngritur nga ligji i shërbimeve shoqërore”, tha Ina Verzivolli, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Pas 7 vitesh nga ligji i fundit i ndryshuar për mbrojtjen e fëmijëve, Ministria e Mirëqenies Sociale sjell një projektligj të ri, që sipas ekspertëve nuk është deklarativ si ai i 2010-s, por që do të prodhojë aktivitete në terren.

Top Channel