Kenia, shpallet katastrofa kombëtare nga thatësira

10/02/2017 00:00

Presidenti i Kenias e shpalli katastrofë kombëtare thatësirën që ka mbërthyer vendin.

Uhuru Keniata bëri apel për ndihmë ndërkombëtare dhe tha se qeveria do të rrisë ndihmat ushqimore për komunitetet më në nevojë, duke theksuar se thatësira po dërrmon gjysmën e vendit.

Sipas Kryqit të Kuq kenian, 2.7 milionë njerëz përballen me urinë, nëse ndihma nuk sigurohet me shpejtësi.

Edhe vende të tjera në rajon janë goditur nga thatësira, që është shkaktuar nga fenomi meteorologjik “El Nino”.

Në një komunikatë për shtyp, presidenti i Kenias Keniata tha se qeveria ka akorduar 105 milionë dollarë për t’u përballur me thatësirën, e cila ka prekur njerëzit, bagëtinë dhe faunën në 23 nga 47 krahinat e vendit.

Presidenti u zotua se nuk do të lejojë askënd të përfitojë nga kjo situatë, duke premtuar transparencë në blerjen e ushqimeve. Edhe Somalia është prekur nga thatësira, që kërcënon me uri shumë zona të vendit.

Gjatë thatësirës së fundit të kësaj shkalle në vitin 2011, rreth 250 mijë somalezë humbën jetën.

Top Channel