“Brexit”, Gjermania paralajmëron Britaninë

10/02/2017 00:00

Një prej figurave më të shquara të rregullatorit bankar në Gjermani ka paralajmëruar Londrën se mund ta humbasë rolin e saj si “urë lidhëse me Europën” për shërbime financiare tejet jetike.

Andreas Dombret, anëtar i Bordit Ekzekutiv të bankës qendrore gjermane “Bundesbank”, tha se edhe pse rregullat bankare janë “ekuivalente” mes Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Bashkimit Europian, ato ishin “milje larg nga qasja në tregun e përbashkët”.

Komentet e Dombret u bënë gjatë një takimi privat të bizneseve dhe bankave gjermane, i organizuar nga “Boston Consulting Group” në Frankfurt më herët gjatë kësaj jave. Ata kanë dhënë një pamje të qartë dhe të rrallë të qasjes së Gjermanisë teksa Britania nis procesin e largimit nga BE-ja, një qasje që duket se është agresive.

“Modeli aktual i përdorimit të Londrës si një urë drejt Europës pritet të marrë fund”, tha Dombret në ngjarjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Ai e bëri të qartë se nuk e mbështet “qasjen konfrontuese” sa i përket marrëdhënieve në të ardhmen mes sektorit të shërbimeve financiare të Britanisë dhe Bashkimit Europian, megjithatë, ai argumenton se ka një “pasiguri intensive” në lidhje me atë sesi negociatat për “Brexit” do të progresojnë dhe pengesat domethënëse që duhen tejkaluar.

Ekzekutivi i “Bundesbank”, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen bankare dhe financiare, tha se ishte i shqetësuar trendi drejt standardeve të pranuara ndërkombëtarisht po gjendet nën presion. Madje, tha se Britania mund të tentojë të bëhet “Singapori i Europës” pas “Brexit”-it, duke ulur taksat dhe duke lehtësuar rregullat financiare për të inkurajuar bankat dhe bizneset që të investojnë në ishull.

Top Channel