Misteri në Britani, 50 mln paund kokainë në bregdet

10/02/2017 00:00

Një sasi kokaine me vlerë 50 milionë dollarë doli në brigjet e Norfolkut në Britaninë e Madhe, duke shkaktuar mjaft habi te forcat e Rendit.

Agjencia kombëtare e Krimit informoi se 360 kilogramët e kokainës u gjetën nga banorët në plazhin Hopton. Policia tha se u lajmëruan nga banorët, pasi ata kishin gjetur dhjetëra pako në breg të detit.

Autoritetet britanike nxituan në vendngjarje, ku sekuestruan sasinë kolosale të drogës, ndërsa vazhdojnë kontrollet në breg, por edhe në det, në përpjekje për të gjetur ndonjë gjurmë sesi droga përfundoi aty. Mbi të gjitha, kujt i përkiste.

Agjencia kombëtare e Krimit tha se po bashkëpunon me Rojen Bregdetare dhe Policinë e Norfolkut për të zbardhur ngjarjen, pasi besojnë se është shumë e zorshme, që pikërisht kjo zonë e bregdetit britanik të ishte destinacioni i drogës.

Sipas hetuesve, droga mbase përfundoi në det pas mbytjes së anijes që e transportonte, ndërsa përjashtohet mundësia që trafikantët ta kenë hedhur në det për t’i shpëtuar policisë, pasi nuk raportohen ndjekje në det kohët e fundit.

Pavarësisht mënyrës sesi droga u shfaq në breg, policia thotë se ajo përbën një humbje të madhe për trafikantët e drogës. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës së Norfokut që të raportojnë menjëherë tek autoritetet, nëse do të gjejnë pako të tjera droge në bregdet, ndërsa kanë dislokuar mjaft agjentë në zonë për të pasur situatën nën kontroll.

Top Channel