Berisha: Qeveria po zhvat me gjoba “Bankers”. Më 18/2, gjyq popullor

09/02/2017 00:00

Në debatin mbi lëkundjet e tokës në Zharrëz nga kompania e naftës “Bankers” është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e tij në seancën plenare, Berisha ka deklaruar se, “Bankers” ka punuar mirë për Shqipërinë, por qeveria aktuale kërkon sipas tij ta zhvasë.

““Bankers” ka ardhur nga një kontratë e nënshkruar nga qeveria socialiste para vitit 2005. Vazhdoi në vitet e tjera dhe ka qenë taksapaguesi kryesor në Shqipëri, nga 200 milionë euro në vit. Kompania bëri të famshme Shqipërinë në botë. “Bankers” i shërbeu Shqipërisë në Shqipëri”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, problemet lindën me ndërrimin e pushteteve në vitin 2013.

“Problemet në Zharrëz janë serioze, por nuk po luftohet për të zgjidhur problemin, por për të zhvatur me gjoba kompaninë. Ju e sulmoni sepse doni ta fusni kompaninë nën sundimin e Besnik Sulës, që ju shpërblen mirë juve”, ka thënë Berisha.

Në vijim të akuzave ndaj qeverisë, Berisha është shprehur se, “suksesi juaj është kanabizimi i Shqipërisë, tritoli dhe kriminalizimi i policisë”.

Më tej, Berisha ka bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të gjerë në protestën e 18 shkurtit. “18 shkurti dhe ditët në vazhdim janë gjyqi që do t’i bëhet kësaj qeverie që mashtron në mënyrë të paskrupullt”, ka shtuar Berisha.

Top Channel