Kosovë, Kuvendi debaton të enjten për transformimin e FSK-së në ushtri

08/02/2017 00:00

Në seancën parlamentare të së enjtes në Kuvendin e Kosovës do të debatohet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Megjithëse në Komisionin për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga deputetë të partive në pushtet u tha se ende nuk janë pjekur kushtet për një debat publik për formimin e ushtrisë së Kosovës, me shumicë votash u vendos që ky debat të zhvillohet të enjten në emër të Komisionit të Sigurisë.

Kryetari i këtij komisioni, Daut Haradinaj nga radhët e AAK-së tha se, me pakon e Marti Ahtisaarit, Kosova do të duhej ta kishte ushtrinë në vitin 2013, por sot e kësaj dite institucionet përkatëse ende nuk janë të gatshme t’i themelojnë Forcat e Armatosura.

Haradinaj theksoi se Kosova formoi Ushtrinë Çlirimtare pa pyetur askënd në atë kohë, ndaj dhe transformimi i FSK-së duhet të ndodhë, e ka ardhur koha që Kosova të ketë ushtrinë, ndërsa institucionet e vendit e kanë për detyrim ta shtyjnë përpara këtë proces.

“Edhe në rrethana më të vështira dikush duhet të marrë vendime. E dini mirë se ne, edhe kur kemi themeluar ushtrinë për të çliruar vendin, nuk kemi pyetur askënd. Askush nuk ka nevojë të shqetësohet”, ka thënë ndër të tjerash Haradinaj.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu vlerësoi se duhet dhënë kontribut për formimin e ushtrisë dhe, sipas saj, PDK-ja është në favor të asaj që Kosova ta ketë ushtrinë sa më shpejt.

Ajo kritikoi deputetët e opozitës se nuk duhet drejtuar gishti ndaj njëri-tjetrit, sepse nuk është e drejtë të etiketohet PDK-ja, që sipas Musliut nuk kanë qenë asnjëherë kundër debatit dhe kundër transformimit të FSK-së.

Për debatin e nesërm, Nuredin Ibishi nga LDK tha se duhet të shterën të gjitha mundësitë e brendshme konsultative, para se të ndodhë ky debat. “Mendoj se ende nuk janë pjekur kushtet për një debat publik. Pse? Nuk i kemi shterur mundësitë së pari për interpretimet kushtetuese nëse është mundësia”, tha Ibishi.

Deputeti Rexhep Selimi nga radhët e LVV-së u pajtua që nesër të ketë debat në seancë për transformimin e FSK-së, sepse Kuvendi është vendi më i përshtatshëm. Edhe deputeti nga radhët e Nismës, Zafir Berisha, duke akuzuar PDK-në tha se ky subjekt e ka lënë Kosovën pa ushtri. Berisha nuk pret debat konstruktiv nga diskutimi i nesërm në Kuvend për ushtrinë.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të raportojë shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në lidhje me uniformat ushtarake serbe, që sipas medieve janë shfaqur në veri të Kosovës.

Top Channel