Marrëdhënia May-Trump satirizohet në rrugët e Londrës

07/02/2017 00:00

E ashtuquajtura “marrëdhënie e veçantë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe satirizohet në një prej rrugëve më “fashion” të Londrës.

Në një vepër arti me përmasat e një posteri, kryeministrja Theresa May shfaqet e buzëqeshur e me uniformë shkolle, ndërsa në prehërin e saj është i shtrirë presidenti Donald Trump. Dora e ngritur nënkupton se është gati ta godasë me shuplakë udhëheqësin e ri amerikan.

Fjala “marrëdhënie e veçantë” shoqëron imazhin.

“Mendoj se është interesante. Tregon ndasitë dhe zemërimin e madh që ekziston jo vetëm në Britani e SHBA, por në të gjithë botën perëndimore”, tha Alex Garabedian, qytetar amerikan.

May është kritikuar për vizitën e nxituar në SHBA, për t’u bërë udhëheqësja e parë e huaj që u takua me Trumpin pas betimit të tij.

Shumë mendojnë se ajo hezitoi të dënonte urdhrin antimysliman të Trumpit, ndërsa u tregua e shpejtë në riafirmimin e asaj që është quajtur “marrëdhënie e veçantë” mes dy vendeve.

Vepra artistike u krijua nga një artist rrugësh i njohur me pseudonimin “Pegasus”. Ai ka realizuar gjithashtu imazhin e kandidates presidenciale Hillary Clinton, e veshur si “Wonder Woman”, me fjalët “Mos u dorëzo kurrë”.

Top Channel