Vlerësimi i universiteteve, kreu i “British Council”: Sipas kritereve më të fundit

06/02/2017 00:00

Procesi i akreditimit te universiteteve në Shqipëri vijon ende, ndërsa rezultatet e para i përkasin gjashtë fakulteteve private.

Qeveria Shqiptare po e zhvillon këtë pjesë të reformës në arsimin e lartë në bashkëpunim me “British Council”. Këto ditë procesin do e ndjekë Drejtoresha globale e “Biritish Council” për Edukimin dhe Shoqërinë.

Jo Beall thotë në një intervistë për Top Channel se eksperienca britanike do të adresohet tek njohuritë e duhura që duhet të kenë të rinjtë për tregun e sotëm të punës. Kjo, mbase do të përkthehet në ndryshime tek programet e studimit në universitetet shqiptare.

“Krahas aftësive analitike apo kritike, të rinjtë sot në tregun e punës dhe në një botë si kjo e sotmja duhet të kenë aftësi dixhitale. Këto janë shumë të rëndësishme. Ka shumë vështirësi në adresimin e aftësive të tilla. Një nga arsyet është se  çdo profesor, në çdo disipline, duhet të ketë të veçuar në kurrikul një hapësirë të veçantë ku flitet për aftësitë profesionale në mënyrë specifike, ose t’u mësojnë studentëve sesi të mendojnë në mënyrë kritike dhe leximin dixhital”, thorë Jo Beall.

Burime thanë për Top Channel, se procesi i akreditimit ka nxjerrë në pah dallimet midis fakulteteve private dhe atyre publike. Publiket kanë mangësi në infrastrukturë, apo ajo që është cilësuar si hapësirë e duhur fizike për studentët.

Drejtoresha globale e “British Council” për edukimin, thotë se raportet përfundimtare, do të vënë në dukje vështirësitë, më tej autoritetet shqiptare do të jenë ato që do të vendosin se çfarë do të zgjedhin nga eksperienca britanike.

“Britania ka një eksperiencë të gjatë në sistemin arsimor dhe aty ka shumë çfarë Shqipëria mund të eksplorojë dhe do u takojë autoriteteve këtu që të vendosin se cilat pjesë do të duan të implementojnë ose jo në sistemin e arsimit këtu. Ajo çfarë bën “British Council” nuk është vetëm bashkimi i dy vendeve nëpërmjet arsimit, por edhe eksperienca jonë në 100 vende të botës. Në këtë fushë ne mund të ndihmojmë çdo vend dhe Shqipëria mund të zgjedhë dhe të marrë çdo praktike tonën që do të mendojë se mund të përshtatet me sistemin arsimor që ka”, tha Beall.

Top Channel