Sulmi në Luvër, agresori një 29-vjeçar egjiptian

03/02/2017 00:00

Autoritetet franceze kanë njoftuar në orët e vona të mbrëmjes së të premtes se, besojnë që kanë arritur të identifikojnë agresorin që u përpoq të kryente një sulm në Muzeun e Luvrit në Paris, e ai është një 29-vjeçar egjiptian, që sipas prokurorit François Molins kishte udhëtuar drejt kryeqytetit francez nga Dubai me një vizë turistike gjatë muajit të kaluar.

Policia po përpiqet të përcaktojë nëse agresori veproi i vetëm apo me udhëzime të qarta nga të tjerë, shtoi Molins. Sulmuesi i pajisur me një hanxhar u plagos rëndë pas të shtënave nga një ushtar francez, që u përpoq ta ndalonte atë të kryente aktin kriminal. Njëri prej ushtarëve pësoi dëmtime të lehta, kur agresori u përpoq të hynte në muze.

Në momentin e incidentit, qindra vizitorë ishin brenda Luvrit, aty ku strehohen punime të panumërta arti, përfshi edhe Mona Lizën. Presidenti François Hollande lavdëroi veprimet e ushtarit, duke thënë se “operacioni i tij ndali një sulm, për të cilin ka pak dyshime se do të ishte terrorist”. Ai u tha reporterëve në Maltë, ku ndodhej për një samit të BE-së, se priste që i dyshuari të merret në pyetje “sa më shpejt që të ishte e mundur”.

Prokurori Molins tha se egjiptiani nuk kishte dokumente identifikimi, por të dhënat e një telefoni celular treguan se ai kishte mbërritur në Paris më 26 janar, pasi kishte kërkuar një vizë turistike njëmujore në Dubai. Megjithatë, ai tha se autoritetet nuk kanë përcaktuar ende formalisht identitetin e të dyshuarit.

Top Channel