U shit nga ISIS, u ble nga myslimanët. Sot ribashkohet me familjarët

03/02/2017 00:00

Emri i tij ishte Ayman, por çifti i bashkëshortëve që e rikthyen djaloshin në fshatin e tij të lindjes në Irak, pasi e kishin blerë për 500 dollarë, e quajtën Ahmed.

Militantët e Shtetit Islamik kanë vrarë apo skllavëruar prindërit e Aymanit, gjatë spastrimit që i bënë minoritetit Yazidi të cilit ai i përket, e më pas e shitën 4-vjeçarin tek Umm dhe Abu Ahmed, të cilët janë myslimanë.

Për 18 muaj, ai jetoi me çiftin në fjalë, ndërsa të afërmit e tij e mendonin të vdekur, si një prej disa mijëra pjesëtarë të komunitetit Yazidi që rezultojnë të zhdukur që prej bastisjes së shtëpive të tyre nga militantët xhihadistë, në atë që Kombet e Bashkuara e quajnë gjenocid.

Kur forcat irakiane rimorën lindjen e Mosulit nën kontroll dhe rrethuan zonën javën e kaluar, ata gjetën Aymanin dhe e rikthyen atë tek ata që kanë mbetur nga familja e tij. E ndërsa ribashkimi me familjarët ishte i mbushur me lotë gëzimi, ndarja e Aymanit nga prindërit e tij adoptues ishte trishtuese.

Duke folur për gazetarët e “Reuters”-it që mundën të shkonin në shtëpinë e tij në Rashidiya, në veri të Mosulit, falë ndihmës së forcave irakiane, Abu Ahmed kalonte fotografitë e djaloshit një e nga një në telefonin e tij dhe shpjegonte rreth tyre: Këtu është ai duke ngarë një biçikletë. Këtu është duke qëndruar në sallën tonë. Ndërsa kjo është një pajisje stërvitjeje, me të cilën ai luante”.

Dritaret e shtëpisë njëkatëshe të çiftit në bregun lindor të lumit Tigër janë thyer nga një shpërthim që shkatërroi shtëpinë e një fqinji tjetër, prova këto të luftimeve të ashpra që do të vazhdojnë kur ushtria të sulmojë bregun perëndimor të lumit, i cili kontrollohet ende prej Shtetit Islamik.

Abu Ahmed zbrazi edhe një kuti të gjendur nën krevatin e Aymanit, në të cilën kishte vendosur lodrat e tij. Mes lodrave kishte edhe një libër për fëmijë për mësimin e gërmave arabe.

Ishte pikërisht ideja e Umm Ahmed për të adoptuar një fëmijë, pasi çifti nuk kishte të tillë. Ajo kishte dëgjuar se Shteti Islamik ishte duke shitur të mitur në qytetin Tel Afar, rreth 40 km në perëndim. “Synimi im ishte të merrja bekimin e Zotit”, tha Um Ahmed, nga e cila mund të shiheshin vetëm sytë, për shkak të vellos së zezë që mbante në kokë. “Të jem e sinqertë, doja t’i mësoja atij besimin tim fetar, Islamin”.

Bashkëshorti i saj, një nëpunës qeveritar, ishte kundër idesë, por nuk mundi t’ia ndryshonte mendjen së shoqes, e cila kishte shkuar e vetme për të marrë djaloshin nga militantët, duke paguar për të nga të ardhurat që siguronte si mësuese. Edhe pse djaloshi kishte qarë dhe nuk donte të shkonte me të, ajo e kishte mbushur me lajka, duke i thënë se “dëshironte që ai të ishte djali i asaj dhe të jetonin së bashku”. “Do të të blej gjithçka që do të dëshirosh”.

Gradualisht, ai u mësua me prindërit e tij adoptues, të cilët i mësuan atij gjuhën arabe, në vend të dialektit kurd që mësojnë zakonisht pjesëtarët e komunitetit Yazidi. Ata e prezantuan atë si të ishte nipi i tyre, e regjistruan në një shkollë lokale me emrin Ahmed Shareef, por pjesën më të madhe e mbanin të mbyllur.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel