17 mijë kilometra me biçikletë për të parë ekipin e zemrës

03/02/2017 00:00

Futbolli ka ndryshuar shumë ndër vite, duke filluar që nga shpejtësia e lojës, aftësia e futbollistëve dhe shumat astronomike të parave që gjeneron, por e vetmja gjë që ka mbetur e njëjtë është dedikimi i mbështetësve, të cilët bëjnë sakrifica nga më të ndryshmet, duke përshkuar mijëra kilometra për të ndjekur ekipin e zemrës.

E tillë është historia e Jungyu Lee, fansit koreano-jugor të Liverpool-it. Lee ka përshkuar 17 mijë kilometra me biçikletën e tij për të ndjekur një ndeshje të ekipit të tij të zemrës.

Udhëtimi i tij zgjati 235 ditë, duke kaluar në 10 shtete të ndryshme europiane dhe aziatike, deri në destinacionin e tij final, por jo çdo gjë shkoi ashtu si ai e kishte menduar.

Pasi mbërriti në Anfield, Lee mësoi se nuk mund të shikonte ndeshjen pasi biletat ishin të gjitha të shitura dhe përfundoi duke parë ndeshjen në një lokal.

Pasi mësuan për historinë e tij, drejtuesit e Liverpool-it i siguruan atij një biletë për ndeshjen që do të luhet më 11 shkurt kundër Tottenham. “Dua të vizitoj Anfield-in dhe të takoj trajnerin Jurgen Klopp”, tha Lee për një radio lokale.

Top Channel