Serbia lëshon pe, pranon shembjen e murit në Mitrovicë

02/02/2017 00:00

Bisedimet e nivelit të lartë mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel kanë filluar të japin rezultatet e para. Beogradi lëshon pè lidhur me çështjen e murit në veri të Mitrovicës, e këtë e njoftoi vet kryeministri Aleksandar Vuçiç, gjatë një takimi me përfaqësuesit e “Listës Serbe” dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç.

Në një konferencë për shtyp, udhëheqësi serb tha se Rakiç pranonte shembjen e murit, por – siç u shpreh ai, – jo sepse ka frikë, por sepse është i përkushtuar të ruajë paqen.

“Rregullimi komunal është totalisht nën kompetencat e qeverisjes lokale, pra të Goran Rakiçit. Ligjet e Kosovës nuk vlejnë, por Rakiç pranon shembjen e murit, sepse dëshiron të ruajë paqen”, tha Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç tha gjithashtu për mediet se bisedimet e së mërkurës në Bruksel ishin të rënda dhe se Beogradi kishte pranuar gjithçka ishte kërkuar prej tij. Duke mos dhënë detaje të mëtejshme, kryeministri premtoi se, së shpejti do të informonte qytetarët serbë se me çfarë presionesh ishin përballur për shembjen e sovranitetit të Serbisë, siç u shpreh.

Dhjetëra serbë u mblodhën pranë murit në Mitrovicën Veriore, pas përhapjes së lajmit se autoritetet e Prishtinës do ta shkatërronin atë. Aty u pozicionuan edhe forca të policisë kosovare e karabinierë italianë.

Në prag të takimit të Vuçiç me përfaqësuesit e Serbisë në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi i kërkoi Serbisë të hiqte dorë nga stili i vjetër propagandistik, i nxitjes së frikës dhe urrejtjes ndëretnike te komuniteti serb në veri të Kosovës.

Top Channel