Studentët ndalin fjalimin e “mikut” të Trump

02/02/2017 00:00

Universiteti i Kalifornisë në Berkeley anuloi një fjalim të një redaktori të faqes së internetit “Beritbart” pas protestave të studentëve.

Milo Yiannopoulos, personi që duhej të mbante fjalim, është një mbështetës i hapur i presidentit Donald Trump. Qindra studentë u hodhën në protestë kundër tij dhe u përballën me policinë. Të paktën një zjarr u ndez nga studentët dhe policia ndërhyri me gaz lotsjellës, ndërsa i gjithë kampusi universitar u izolua.

Nuk ka raporte për lëndime apo arrestime. Komentet e Yiannopoulos’s janë kritikuar shpesh si raciste apo maskiliste. Vitin e shkuar, ai u dëbua nga “Twitter” pasi udhëhoqi fushatën kundër aktores me ngjyrë Leslie Jones.

Vizita e Yiannopoulos ishte organizuar nga republikanët e universitetit, të cilët thanë se  edhe zërat konservatorë duhet të dëgjohen në SHBA, pasi kjo është demokracia. Vetë universiteti i Kalifornisë në Berkeley theksoi se nuk kishte ftuar folësin, por kishte refuzuar kërkesat e mëhershme për të anuluar fjalimin e tij.

Sidoqoftë, pasi protestat e studentëve u bënë të dhunshme, universiteti u detyrua që të anulonte fjalimin e parashikuar.

Top Channel