Kufizimi i emigracionit, Trump: Quajeni si të doni

01/02/2017 00:00

Ndalimi i emigrantëve, bllokimi i kufijve, kufizimi i emigracioni, mund të quani çfarë të doni, pasi kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Kështu deklaroi përmes “Twitter”-it presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa duket se debati për termin e saktë teknik është në të njëjtin nivel me atë se çfarë sjell urdhri ekzekutiv.

“Të gjithë po debatojnë nëse është apo jo një bllokim. Quajeni çfarë të doni, rëndësi ka që mban jashtë vendit njerëzit e këqij me qëllime të këqija”, shkroi Trump në “Twitter”.

Presidenti amerikan e nënshkroi të premten urdhrin që bllokon hyrjen e refugjateve në SHBA për 120 ditë dhe gjithashtu emigrantet nga 7 vende kryesisht myslimane për 3 muaj. Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se nuk bëhet fjalë për një bllokim të plotë, pasi gjatë ditëve te fundit kanë hyrë me mijëra njerëz nga vende të tjera në SHBA.

Ai shtoi se urdhri i Trump ndalon njerëzit nga 7 vende për të cilat administrata “Obama” prej kohësh kishte njohur nevojën e kufizimit të udhëtimeve. Spicer gjithashtu tha se gjatë 24 orëve të fundit, në SHBA kishin hyrë 325 000 njerëz dhe vetëm 109 prej tyre u ndalën për kontrolle të mëtejshme. Shifra, sugjeroi ai që nuk japin asnjë shkas për kaq zhurmë sa është bërë.

Top Channel