Britani, debat për fëmijët dhe gratë e trafikuara nga Shqipëria

01/02/2017 00:00

Edhe pse në Parlamentin britanik është duke u zhvilluar debati më i rëndësishëm politik në vend për mandatin qeveritar për të filluar bisedimet për “Brexit”-in, në ambientet e tij, nën mbështetjen e deputetit britanik Stephen Timms dhe shoqatës “Shpresa Programme”, më të madhes dhe ndër më aktivet në komunitetin shqiptar, çështja e të rinjve shqiptarë të pashoqëruar që kanë kërkuar azil dhe grave të trafikuara u trajtua nga avokatët më të lartë britanikë të çështjeve të emigracionit dhe specialistëve që merren me integrimin e tyre në shoqërinë britanike.

“Kjo kategori azilkërkuesish përbën numrin më të lartë të atyre që mbërrijnë dhe kërkojnë azil në Britani, – tha deputeti Timms. – Madje më shumë edhe se nga vendet që janë në luftë”.

Vitin e kaluar, 481 fëmijë të pashoqëruar kërkuan azil në Britani, por vetëm njëri prej tyre fitoi azilin. Sipas “barrister”-ve, që janë juristët që mbrojnë çështjet në shkallët e larta të drejtësisë britanike, ka moskuptim dhe informacion të dorës së parë për shkaqet dhe rrethanat e vërteta, si dhe kulturës shqiptare nga autoritetet zyrtare britanike të Emigracionit.

Ndërkohë, në këtë ngjarje u theksua se kohëzgjatja e mosmarrjes së vendimit të azilit dhe refuzimi i tyre, e më pas kalimi i këtyre aplikantëve në të zezë, jo vetëm krijon probleme të mëdha psikologjike për ta, por edhe i hedh në duart e krimit të organizuar shqiptar në Britani, kryesisht përmes shpëndarjes së drogës dhe asaj që konsiderohet si “skllavëria moderne”.

“Shpresa Programme”, e cila ishte e vetmja shoqatë nga Britania që u nderua me çmimin “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës së fundmi në Tiranë, pjesë të punës së saj ka mbështetjen për të rinjtë e pashoqëruar dhe gratë e trafikuara, ku rreth gjysma e atyre që kërkojnë azil kalojnë përmes përkujdesjes së kësaj shoqate shqiptare, në bashkëpunim me organizata të ndryshme britanike të profilit.

Në takimin në Parlament u njoftua se, së shpejti do të krijohet një program antiskllavëri, me fokus hulumtimin e situatës në Shqipëri për të identifikuar problematikën dhe përballimin e sfidave.

Top Channel