Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi: Pres uljen e tensioneve

01/02/2017 09:00

Sot në Bruksel ulen sërish në një tryezë bisedimesh krerët e shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në një takim të thirrur dhe të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e BE-së, Mogherini, pas incidentit me trenin nacionalist të nisur nga Beogradi.

Përpara takimit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar këtë mëngjes një bisedë telefonike me temë uljen e tensioneve. Kjo është edhe pritshmëria që pala kosovare ka nga ky takim.

Në një intervistë për “Radion Europa e Lirë”, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se, pret që “tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ulen edhe më shumë” dhe që “dialogu i rinisur të çojë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Pas takimit të javës së kaluar, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini u kërkoi përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin zotimin për të lënë pas tensionet.

Dialogu vazhdon prej vitesh sakaq, por disa marrëveshje të arritura ndërmjet palëve nuk janë zbatuar, përfshirë edhe heqjen e një parku mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë, por edhe krijimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

Top Channel