“Majlinda Andrea”, kërkohen si dëshmitarë dy anëtarë të Gjykatës së Lartë

30/01/2017 11:25

Dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe Artan Broci u kërkuan si dëshmitarë nga prokuroria për llogari të procesit ndaj gjyqtares Majlinda Andrea, nën gjykim për korrupsion.

Mes 10 dëshmitarëve të thirrur nga organi qendror i akuzës, dy gjyqtarët rezultojnë pjesë e trupës gjyqësore që së bashku me Andrean kishin nën shqyrtim çështjen civile për njohjen e pronësisë të 40 hektarëve truall në Butrint. Për dosjen penale “Butrinti” prokuroria akuzon 5 persona, mes tyre edhe gjyqtaren e lartë Majlinda Andrea, pasi nga veprimet hetimore rezulton se pretenduesit e pronësisë kishin parapaguar një rryshfet prej 50 mijë eurosh për një vendim.

Gjyqtarja Majlinda Andrea nuk është paraqitur asnjëherë në procesin kundër saj, ashtu sikurse edhe bashkëshorti Odhise Andrea, i cili ka dalë para gjykatës vetëm një herë, atëherë kur u vetëdorëzua, çka i solli atij lehtësim të masës, nga arrest me burg në mungesë, në arrest shtëpiak.

Por, ndërsa nga 5 të dyshuar, 3 prej tyre gjykohen në gjendje të lirë, edhe Ilia Cabiri i kërkoi Gjykatës së Lartë ta lirojë nën argumentin se ka probleme shëndetësore. Avokati i tha gjykatës se mbajtja në paraburgim e klientit të tij i rrezikon jetën. Për këtë arsye, Kolegji Penal caktoi ekspertë të mjekësisë ligjore që do të vlerësojnë situatën e tij shëndetësore.

Top Channel