Socialdemokratet zgjedhin Schultz para Merkelit

29/01/2017 00:00

Liderët e socialdemokratëve gjermanë kanë zgjedhur Martin Schultz, për shumë vite president i Parlamentit Evropian, si kandidatin e tyre për ti rrëmbyer postin kancelares Angela Merkel.

Schultz i premtoi mbështetësve se fushata e tij për zgjedhjet e shtatorit, do të fokusohej tek njerëzit punëtorë. Socialdemokratët kanë qeverisur në një koalicion të gjerë me kristiandemokratët e Merkelit që në 2013-ën.

Tani shpresojnë se i përzgjedhuri i tyre, Martin Schultz, që do të bëhet edhe lideri i partisë, të mund të rrisë shanset për marrjen e një mandati që do t’ju lejonte të qeverisnin pa CDU-në e Merkelit.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se social demokratët janë pas CDU-së për sa i takon mbështetjes megjithatë mbështetja personale për Martin Schultz është më favorizuese se ajo për zonjën Merkel, që planifikon të kandidojë për një mandat të katërt.

Në një fjalim para mbështetësve në Berlin, Schultz foli për ndasitë e thella në gjermani dhe tha se do të luftonte për më shumë ndershmëri dhe unitet social. Ai zëvendëson Sigmar Gabriel si lider i socialdemokratëve; ky i fundit, në një lëvizje surprizë, tha se dorëhiqej si lider dhe kandidat për kancelar pasi mendonte se Schultz kishte më shumë shanse për ta çuar partinë drejt fitores.

Gabriel, zëvendës-kancelar i Gjermanisë, u bë ministër i Jashtëm në një rifreskim të kabinetit, të premten.

Top Channel