Partizani e nis keq…shumë keq

28/01/2017 00:00

Pjesa e dytë e sezonit për Partizanin ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova është mposhtur me rezultatin 2-0 nga Luftëtari në Gjirokastër.

Vendasit mposhtën me karakter dhe cinizëm një skuadër që të paktën në letër vlerësohet më e mirë se ta. Djemtë e drejtuar nga serbi Mladen Milinkoviç kanë shënuar nga një gol për çdo pjesë loje.

Pjesa e parë nuk pati shumë emocione. Në minutën e 44 pas një kombinimi mes Reginaldos dhe mesfushorit shkodran Ramadani, ky i fundit u pengua në zonë nga Atanda. Karton i verë për mbrojtësin dhe 11-metërsh për Luftëtarin. Ramadani mori përsipër goditjen dhe nuk gabon. Vendasit mbyllin në avantazh fraksionin e parë të ndeshjes.

Pjesën e dytë, Starova e nisi me dy freskime të shpejta në lojë, kur hedh Bonifacen në vend të Bardhit dhe Torrasën në vend të Ibrahimit. Por as freskia nuk mjaftoi. Partizani jo vetëm që nuk gjeti as golin e barazimit, por në të 66-n pëson golin e dytë me anë të Abazajt pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve.

Me këtë humbje, Partizanit i largohet me katër pikë vendit të parë, që mbahet nga Kuksi me 39 të tilla, ndërsa vendin e dytë duhet ta ndajë me Skënderbeun. Kampionët në fuqi morën me vështirësi fitoren në sfidën ndaj Flamuratrit dhe heroi i takimit ishte Jashanica me golin e shënuar në minutën e 86.

Ndërkohë, në takimin tjetër, atë mes Korabit dhe Laçit, kurbinasit morën pikët maksimale falë golit të shënuar nga Lushkja që në minutën e 3-të të takimit. Kjo humbje vështirëson edhe më tej objektivin e dibranëve, që e shohin veten në fund të tabelës me vetëm 11 pikë.

Top Channel