Gjermani, ikën Steinmeier. Kryediplomat do të jetë Gabriel

27/01/2017 00:00

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, duke emëruar në këtë post zv.kancelarin dhe ministrin e Ekonomisë, Sigmar Gabriel, gjatë një ceremonie të mbajtur këtë të premte.

“Në emër të Republikës Federale të Gjermanisë shkarkoj Steinmeierin nga posti i ministrit të Jashtëm”, tha Gauck në rezidencën e tij zyrtare në pallatin “Bellevue”.

Presidenti gjerman falënderoi Steinmeierin për të gjitha aktivitetet e zhvilluara si kryediplomat i Gjermanisë. Kancelarja Merkel, e cila mori pjesë gjithashtu në ceremoni, përgëzoi Sigmar Gabriel për postin e ri.

Frank-Walter Steinmeier ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë që prej vitit 2013.

Ai është lindur më 5 janar të vitit 1956 në qytetin Detmold, në North Rhine-Westphalia. Në vitin 1974, ai përfundoi studimet në një gjimnaz dhe u thirr menjëherë si rekrut i shërbimeve ushtarake në Bundesëehr. Një vit më vonë ai u bë anëtar i Partisë Social-Demokratike të Gjermanisë (SDP). Në vitin 1982 ai u diplomua nga Universiteti “Justus Liebig” në Giessen, për drejtësi dhe shkenca politike. Në vitin 1986 ai mbrojti tezën e Doktoraturës. Pasi shërbeu si ndihmës shkencor në Fakultetin e Shkencave Politike në të njëjtin universitet, në vitin 1991 kaloi si këshilltar ligjor për komunikimin dhe politikën e mediave në Kancelarinë e shtetit Lower Saxony.

Në vitet 1993-1994, ai ishte shef i stafit të ish-kryeministrit të Lower Saxony, Gerhard Schroeder, ndërsa në vitet 1996-1998 u bë Sekretar shtetëror i Kancelarisë së Saksonisë së Poshtme.

Pas emërimit të Schroeder si Kancelar i Gjermanisë në vitin 1998, Steinmeier u bë sekretar shteti për qeverinë federale 1998-1999 dhe ishte përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve të shërbimeve sekrete të vendit. Nga 1999 deri në 2005-n ai ishte shef i stafit të Kancelarisë federale.

Në vitin 2005, Steinmeier kaloi në zyrën e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë duke u bërë zv.kancelar në vitin 2007. Në shtator 2008, ai u nominua si kandidat i “SDP”-së për të shërbyer si Kancelar i vendit. Në zgjedhjet parlamentare të atij vit, “SDP”-ja mori 23% të votave dhe Steinmeier u bë kreu i partisë në Bundestag. Pas zgjedhjeve parlamentare në shtator të 2013-s, “SDP” krijoi koalicionin me Unionin Kristian-Demokratik (CDU) dhe me Unionin Kristian-Social.

Në dhjetor 2013, Steinmeier u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë për herë të dytë. Por më 16 nëntor të vitit të kaluar, Steinmeier u nominua zyrtarisht nga koalicioni si kandidat për postin e Presidentit të Gjermanisë.

Ish-kryediplomati tashmë është i martuar dhe ka një vajzë. Edhe bashkëshortja e tij, Elke Budenbender, është një gjykatëse administrative.

Top Channel