Vendosen gurët e parë në “Skënderbej”

27/01/2017 00:00

Dy pllakat e para të vendosura në Sheshin Skënderbej, përbeheshin nga materiale të përpunuara nga Tropoja dhe Vlora. Projekti për sheshin e ri në qendër të Tiranës, po mbërrin drejt fundit, ku do të marrë imazhin e pedonales, ndërsa inaugurimi i tij do të bëhet pas 4 muajsh.

Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i Qeverisë ishin të pranishëm në nisjen e kësaj faze. Erion Veliaj foli për një lidhje mes pushtetit qendror dhe atij vendor, pa të cilën punët në qytetin e Tiranës janë të pamundura.

“Ky qytet e ka të lidhur fatin e vet me mënyrën sesi funksionon Qeveria. Ju e patë fare mirë kur erdhi një qeveri që nuk bashkëpunonte dhe nuk ndihmonte Bashkinë e Tiranës. E patë sesi u shkatërrua Zogu i Zi, e patë si u shkatërrua ky projekt që mund të kishte përfunduar pesë vite më parë. Dua t’ju them që duhet të jesh naiv që të mos kuptosh se punët i shkojnë mirë Tiranës, kur Qeveria qendrore mbështet qytetin e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Projekti për Sheshin Skënderbej, i nisur thuajse një dekadë më parë nga Edi Rama në bashki, po mbërrin drejt fundit. Kryeministri e vlerësoi punën e bashkisë për sheshin si të shkëlqyer, që siç tha e kanë vendosur atë në krye të punëve që po bëhen për rilindjen urbane.

“Ky shesh është xhevahiri më i shkëlqyeshëm i programit tonë të rilindjes urbane. Përmirësimi që i është bërë projektit në këtë fazë, si dhe puna e shkëlqyeshme e shembullore që po bëhet në këtë shesh për nga aspekti i realizimit, përbëjnë një motiv të fortë frymëzimi dhe besimi se asgjë nuk është e pamundur”, tha Rama.

Kryeministri u përqendrua tek ajo që e quajti si ana pozitive e zvarritjes së realizimit të këtij projekti.

“Pavarësisht zvarritjes, koha i bëri mirë projektit, sepse ai që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë, e që pastaj u bllokua e më pas u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës. Është një projekt i zhvilluar dhe transformuar në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.

Metafora për të cilën flet kryeministri është tapeti i këtij sheshi.

“Ky shesh ka qenë gjithmonë pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku jetojnë. Projekti ka fituar, jo përmasë në sipëfaqje, por në përmbajtje pasi do të jetë një qillim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrijnë pranë e pranë gurët e Malishevës me gurët e Konispolit, të Mirditës, Tropojës me gurët e Manastirit. Kjo e bën këtë shesh unikal në historinë moderne urbane”, tha Kryeministri, duke shtuar se projekti fillestar është ndryshuar edhe sa i përket hapësirës së gjelbërt, që është shtuar.

“Nuk ka qenë në fillim një projekt me këtë përmasë të gjelbër që vjen edhe si rezultat  i një reflektimi ku dosmosdoshmëria për të patur sa më shumë gjelbërim bëhet më e thekshme”, u shpreh Rama.

Top Channel