Aleksandar Jabllanoviç duket si njeriu më pa fat në politikën e Ballkanit. Ka qenë ministër në Qeverinë e Kosovës dhe zëvendësministër në Qeverinë e Serbisë. Por, edhe në postin e fundit u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të shpërdorimit të makinës zyrtare.

Për rikthimin e tij në skenë shkak u bë vëllai i tij dhe dyshimet për lidhje me drogën. Këtë e mohoi edhe policia serbe. Jabllanoviç në Beograd ishte zëvendës i ministrit, Aleksandar Vulin, që dikur udhëhiqte zyrën për Kosovën.
 
“Jabllanoviç nuk ka lidhje me ato që flitet për vëllain e tij. Drejtësinë e bëjnë gjyqet dhe jo mediat. Por ai ka gabuar dhe ka lejuar të përdoret makina e Ministrisë nga persona të paautorizuar. Për opozitën kjo është e çuditshme, pasi nuk janë gjobitur njerëzit për gjëra shumë më të mëdha. Por, në ministrinë time askush nuk është i mbrojtur”, ka deklaruar Aleksandar Vulin, Ministër për Punë Sociale.

Jabllanoviç është futur vonë në politikë, por një karrierë të bujshme. Krijimi i listës serbe e zhvendosi nga Veriu në Prishtinë në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete. Tha se nuk di asgjë për krimet dhe luftën. Nënat e viktimave të Gjakovës, pasi kundërshtuan vizitën e serbëve në kishën e qytetit, u ndjen të ofenduara nga komentet e tij dhe epiteti “egërsira”. Pas protestave të gjata u largua nga Qeveria e Kosovës.

Vëllai i Jabllanoviç nuk është ndaluar nga policia pasi thuhet se ka qenë vetëm një ndalim i zakonshëm.

Top Channel