Paketa e solidaritetit, Ahmetaj: Nuk u cënuan parametrat makroekonomike

26/01/2017 00:00

Sipas qeverisë, akti normativ që ndryshoi buxhetin e 2016-s në fundvit u bë pa cënuar parametrat makroekonomikë. Nga ana tjetër u mbështetën përmes paketës së solidaritetit shtresat në nevojë dhe u mundësua shlyerja e detyrimeve të prapambetura.

Paketa e solidaritetit prej 4 miliardë lekësh përfshiu shpërblimet e pensionistëve, të familjeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara për Vitin e Ri.

“Pensionistët pa përjashtim morën një shpërblim në masën 6.000 lekë. Nuk ka ndodhur realisht asnjëherë një mbështetje e tillë në fund të vitit. Është hera e parë në 25 vite dhe vjen menjëherë pas vendimmarrjes së qeverisë për të rritur pensionet, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës-kanalizimeve në masën 3.4 miliardë lekë. Dua ta theksoj, është e papranueshme që një institucion qendror njësi shpenzuese, çfarëdoqoftë, të krijojë detyrime të prapambetura”, tha ministri Ahmetaj.

Për opozitën, akti normativ ka qëllime elektorale, pasi sipas saj, përmes paketës së solidaritetit synohet blerja e votave.

“Dikujt do t’ia falin gjobat dhe detyrimet dhe dikujt jo. Pikërisht për ta pasur kontigjent elektoral. Ne nuk jemi për përdorimin e bukës së gojës apo metodave të tilla në funksion të zgjedhjeve”, u shpreh ish-ministri i Financave, Bode.

Top Channel