May: SHBA dhe Britania mund të udhëheqin botën sërish

26/01/2017 00:00

Kryeministrja britanike, Theresa May pritet të bëjë thirrje për rinovimin e marrëdhënieve speciale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, për atë që e quan “epoka e re”.

May do të udhëtojë drejt Filadelfias, ku do të mbajë një fjalim përpara liderëve republikanë, në një event që do të ndiqet edhe nga vetë presidenti i ri amerikan Donald Trump, me të cilin do të takohet për herë të parë.

Sipas BBC, që citon pjesë të fjalimit të May, kryeministrja pritet t’u thotë partnerëve amerikanë se pas Brexit, “një Britani sovrane dhe globale dëshiron të intensifikojë marrëdhëniet me miqtë e vjetër”.

Ditën e premte, May do të jetë e para lidere botërore që do të ndodhet kokë më kokë me Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mundësitë e tregtisë mes dy vendeve gjatë periudhës post-Brexit, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe e ardhmja e NATO-s pritet të jenë pjesë e bisedimeve.

Shefja e qeverisë britanike pritet të thotë se, “në të kaluarën dy vendet kanë punuar përkrah njëra-tjetrës për të mposhtur të keqen dhe për të hapur botën dhe tani kanë mundësinë të udhëheqin së bashku sërish”.

Para vizitës, zonja May ka deklaruar se synimi i saj është të ndërtojë një marrëdhënie historike mes dy vendeve, bazuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta.

Por ajo ka theksuar se, nuk do të ketë ndroje të flasë me presidentin amerikan edhe për çështje për të cilat nuk bien dakord, duke iu referuar këtu deklaratave të tij në lidhje me gratë dhe myslimanët.

Top Channel