Rrëfehet Merxhani: Unë e lidha “Nuen” me CEZ

25/01/2017 00:00

Hamza Merxhani shqiptaro-maqedonasi me banim në Çeki, i përmendur si ndërmjetës në privatizimin e OSSH nga CEZ, dëshmoi përmes një video konference në komisionin hetimor parlamentar të kërkuar nga mazhoranca për këtë çështje.

Ai tregoi se ishte kontraktuar nga kompania çeke për çështje sigurie për investimet e mundshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Merxhani tha se në 2006-ën ka shoqëruar përfaqësues të CEZ-it në Shqipëri që janë takuar me ish-ministrin Genc Ruli dhe po gjatë kësaj periudhe kohore është njohur me Nue Kalaj.

“Shok pas shoku jam takuar me Nuelin, duke biseduar mu duk djalë shumë serioz. I tregova për ta bërë këtu si përcjellës i delegacioneve që nëse ndodh gjë në Shqipëri të jetë si njeriu më i sigurt”, u shpreh ai.

Merxhani tha se vetë ai është paguar me 0,3% të shumës së privatizimit të OSSH si tarifë suksesi, ndërkohë që Kalaj ka pasur kontratë me vete dhe marrëdhëniet me të nuk kanë vazhduar normalisht pas 2007-s.

Për opozitën këto dëshmi nuk kanë vlerë dhe bëhen për te mbuluar rimarrjen e aksioneve nga Shqipëria të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

“Po bëni rolin e shtytës të hemorragjisë për të fshehur 600 milionë euro në momentin e zgjidhjes së kontratës”, u shpreh Ridvan Bode.

Por për mazhorancën dëshmia tregon ndikimin e sekserit kosovar Nue Kalaj.
“Sa herë që CEZ kërkonte ndryshime të termave të kontratës, këtu hynte në lojë Nue Kalaj”, u shpreh Taulant Balla.

Socialistët në Komision kërkojnë që të vijë për të dëshmuar edhe i biri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, pasi sipas tyre ka informacion mbi çështjen e privatizimit.

Top Channel