Punësimi në Gjermani, rruga legale për ata me shkollë profesionale

25/01/2017 00:00

Gjermania mbetet ende toka e premtuar e të rinjve shqiptarë. Pas kthimeve masive nëpërmjet aeroporteve, apo në rrugë tokësore, një pjesë e azilantëve nuk u dekurajuan, por kanë gjetur rrugë ligjore në mënyrë që të rikthehen në këtë vend.

Një mundësi për ata që lanë kampet e mbipopulluara është punësimi sezonal, nëse zotëron një zanat. Të drejtën për aplikim në punësimin sezonal në Gjermani, gjatë 3 muajve të verës, e kanë vetëm ata që vijojnë shkollat e larta apo ato profesionale.

Për këtë procedurë nuk nevojiten leje pune apo gjuha gjermane, ndërsa sipas aplikantëve që kanë fituar mundësinë e punësimit, pagesat shkojnë nga 8.5 euro ora e punës, duke arritur në shifra mujore deri në 1.500 euro.

“Nëse janë nxënës të shkollave profesionale, të gjithë janë të ftuar dhe mund të vijnë që të aplikojnë. Edhe ata që kanë qenë në kampet e azilantëve dhe që janë kthyer në Shqipëri”, tha Florenc Qosja, koordinator i “Dimak Albania”

Mbi 55 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil, por mbi 90% janë refuzuar, pasi autoritetet gjermane shkurtuan procedurat dhe përfshinë Shqipërisë në listën e “vendeve të sigurta të origjinës”.

Top Channel