Lindja e Mesme, në 100 ditët e para Trump të zgjidhë konfliktin palestinez

25/01/2017 00:00

Javën e kaluar, Donald Trump emëroi dhëndrin e tij Jared Kushner, për të “ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme”. Të ndërmjetësosh një marrëveshje mes palestinezëve dhe izraelitëve është një detyrë tejet e vështirë, dhe Trumpi e di këtë. Por ai mund ta bëjë detyrën e Kushnerit disi më të lehtë, nëse emëron një tjetër të dërguar në krah të tij.

Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmjetësojnë së pari një marrëveshje paqeje mes vet palestinezëve. Konflikti vdekjeprurës i palestinezëve është një çështje dyfish “e verbër”. Dy administratat e fundit amerikane u munduan të arrinin një zgjidhje dyshtetërore, pa i dhënë rëndësinë e duhur zgjidhjes së skenarit aktual trishtetëror. Realisht, Izraeli është i përfshirë në mesin e dy (jo)shteteve të ndara palestineze: Autoritetit Palestinez që sundon në Bregun Perëndimor dhe Hamasit që sundon në Rripin e Gazës.

Qeveria e Bregut Perëndimor është e hapur për një marrëveshje me Izraelin, teorikisht, por praktikisht e refuzon këtë deri më tani. Të dy regjimet këmbëngulin se flasin në emër të palestinezëve. Franksioni i konsideruar laik i Fatahut, partia politike dominuese në Autoritetin Palestinez, dhe grupi i dhunshëm islamik i Hamasit kanë luftuar mes tyre për pushtet që prej kryengritjes së parë të palestinezëve ndaj Izraelit të nisur më 1987-n.

Në fakt, vala e shpërthimeve vetëvrasëse të Hamasit në vitet ’90 mund të ketë qenë një përpjekje për të delegjitimuar Autoritetin Palestinez, teksa ky i fundit ishte në një përpjekje për të penguar bisedimet e paqes.

Administrata e George Ë. Bush, duke synuar përhapjen e demokracisë në botën arabe, inkurajoi dy fraksionet të përballeshin në zgjedhjet e vitit 2006. Hamasi i fitoi ato, por Autoriteti Palestinez e refuzoi grupin terrorist të qeveriste. Tensionet arritën kulmin në vitin 2007, kur Hamasi nisi luftën e suksesshme për të kontrolluar Rripin e Gazës. Të dyja palët qeverisin mes brutalitetit, për shkak të frikës se kundërshtari mund të përpiqet të konsolidojë pushtetin mes palestinezëve të përçarë.

E ndërsa Uashingtoni bëri përpjekje të vakëta për të sjellë në pushtet Fatahun, në dëm të Hamasit përgjatë viteve, ai bëri shumë pak për të zgjidhur problemin në thelb. Ndryshe nga SHBA-të, Egjipti, Siria, Jemeni, Katari dhe Arabia Saudite u përpoqën të ndërmjetësonin marrëveshje për ndarjen e pushtetit mes dy palëve palestineze. Së fundi, në këtë nismë janë përfshirë edhe Rusia dhe Zvicra.

Rusët ndoshta shpresuan se ia dolën mbanë javën e kaluar, kur Hamasi dhe Fatahu ranë dakord për një “Këshill të ri Kombëtar”. Por lajmi në fjalë erdhi mes raportimeve se Hamasi dhe Fatahu po akuzonin njëri-tjetrin për arrestime “të motivuara politikisht” në territoret e tyre respektive. Dhe siç pritej, marrëveshja e supozuar e arritur në Moskë ishte thjesht një alarm fals. Megjithatë, qeverive të përfshira në këto përpjekje u duhet njohur merita. Ata e kuptojnë se, konflikti me intensitet të ulët mes dy territoreve palestineze e bëjnë arritjen e një marrëveshje paqeje me Izraelin të pamundur. Gjithashtu, ata e kuptojnë më së miri se palestinezëve u mungon një udhëheqës legjitim, i aftë që të përfaqësojë të dyja territoret, ose që të përfshihet në përpjekjet diplomatike produktive me Izraelin.

Në vend që të adresonin këtë ndarje gjeopolitike, që i pamundëson një udhëheqësi palestinez të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Izraelin, administrata e Obamës këmbënguli se planet për ndërtime në zonat koloniale ishin pengesa e parë për paqen. Edhe pse koha do të vijë për të zgjidhur këtë problem, fokusi te banesat ishte si të vendosje karrocën përpara kalit.

Nëse do të ketë një përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes palestinezëve dhe izraelitëve, që do të përfshijë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Izraelin, atëherë së pari duhet zgjidhur konflikti vdekjeprurës i palestinezëve. Në këtë moment, negociatat dypalëshe do të siguronin mes dy udhëheqësve, një palestinezi dhe një izraeliti, se ata përfaqësojnë në mënyrë legjitime popujt e tyre. Megjithatë, sërish nuk do të jetë një detyrë e lehtë për të negociuar paqen mes palestinezëve. Të dyja palët ushqejnë një ideologji urrejtjeje për njëri-tjetrin, që është po aq e madhe, për të mos thënë më e madhe, sa ajo që ne shohim shpesh mes palestinezëve dhe izraelitëve. Kujtimet e dhimbshme të konfliktit të përgjakshëm të Gazës në vitin 2007, nuk janë aq të largëta sa për t’u harruar.

Veç kësaj, ka edhe një sfidë diplomatike dhe ligjore për zyrtarët amerikanë, që të shmangin marrëveshjet e drejtpërdrejta me Hamasin. Edhe pse ndër vite ka pasur thashetheme të përpjekjeve diplomatike mes “think tank”-eve amerikane me grupit terrorist palestinez, kjo mbetet ende një fushë për t’u eksploruar. Por edhe mesazhet jo të drejtpërdrejta ndaj Hamasit nuk do të rezultonin të pranueshme. Grupi duhet fillimisht të çarmatoset, të heqë dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës dhe të lejojë sundimin e një qeverie të vetme të Autoritetit Palestinez.

Nëse Trump kërkon të hedhë një hap të rëndësishëm në 100 ditët e para, ai duhet pikërisht të emërojë një të dërguar special për të zgjidhur konfliktin palestinez. Duke bërë këtë, mesazhi i tij do të ishte i qartë: Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për përpjekje diplomatike mes palestinezëve dhe izraelitëve, e cila varet nga zgjidhja e ngërçeve të brendshme mes palestinezëve.

Top Channel