Australian Open, S. Williams dhe Nadal kalojnë në çerekfinale

23/01/2017 00:00

Serena Willliams vijon aventurën në Australian Open, ku synon të fitojë titullin e 23-të “Grand Slam” në karrierë. Amerikania preu biletën për në çerekfinale të turneut, pasi mundi çeken Barbora Strycova me rezultatin 2-0.

Amerikania u thye 3 herë me shërbimet e saj në setin e parë, megjithatë ajo arriti ta fitojë atë 7-5, ndërkohë që të dytin e mbylli 6-4. Për Serena Williams kjo është hera e 10 radhazi që kalon në çerekfinale të një turneu “Grand Slam” që nga viti 2014, në US Open.

Kundërshtarja e radhës për Serena Williams do te jetë Johanna Konta. Tenistja britanike eliminoi në raundin e katërt Ekaterina Makarova, sfidën me të cilën e mbylli 2-0. Kontas iu deshën vetëm 69 minuta lojë për të fituar këtë ndeshje (6-1 dhe 6-4).

Në kampin e meshkujve, David Goffin siguroi një vend mes 8 më të mirëve teksa mposhti Dominic Thiem 3-1. Goffin humbi setin e parë 5-7, por fitoi 3 të tjerët 7-6, 6-2 dhe 6-2. Në çerekfinale, Goffin do të ndeshet me Grigor Dimitrov, i cili fitoi ndaj Istomin 3-1.

I fundit që siguroi kalimin në çerekfinale të “Australian Open” ishte Rafael Nadal. Spanjolli, fitues i këtij turneu në vitin 2009, mposhti në raundin e katërt, Gaël Monfils, me rezultatin 3-1. Nadal fitoi dy setet e para me rezultatet 6-3, 6-3, ndërkohë që francezi iu kundërpërgjigj në të tretin, që e mbylli 6-4.

Në setin e katërt gjërat u vështirësuan për Nadal, që e pa veten në disavantazhin 4-2, por 30-vjeçari arriti të kthejë situatën në favor dhe të fitojë setin 6-4 dhe krejt takimin 3-1. Në çerekfinale, ai do të luajë përballë kanadezit Milos Raoniç, që kaloi për më tej pasi mundi spanjollin Bautista-Agut 3-1 me sete 7-6, 3-6, 6-4 dhe 6-1.

Top Channel