Van Basten e ndryshon futbollin, vizion radikal

18/01/2017 00:00

Penalitete me kohë në vend të kartonëve të verdhë, jo rregulla për pozicionet jashtë loje dhe më shumë zëvendësime.

FIFA po përgatite t’i shpalosë botës një vizion radikal për futbollin dhe detaje të tilla dha përmes legjendës së njohur Marco van Basten, tashmë në pozicionin e drejtorit teknik. Holandezi “fluturues” që shkroi historinë me Milanin dhe kombëtaren portokalli, ka shpjeguar edhe variacionet që po mendon institucioni i drejtuar nga Gianni Infantino.

“Ne duhet të vazhdojmë të gjejmë mënyra për të përmirësuar këtë lojë dhe për ta bërë më të ndershme, më dinamike e më interesante. Kemi disa variante të cilat do t’i testojmë në vitet në vijim”, tha 52-vjeçari për gazetën gjermane “Bild”.

Van Basten u bë drejtori teknik i FIFA-s në tetorin e kaluar dhe ka paralajmëruar një seri masash revolucionare, disa nga të cilat do të jenë të implementuara edhe në botërorin e zgjeruar me 48 kombëtare. Marco ka lënë shenjë në futboll, por tani sportin që i ka garantuar famën, kërkon ta përngjasojë me regbin.

“Një karton i verdhë kundër një lojtari që do kontrastet nuk i jep shumë skuadrave me nivel sulmues. Këtë ndëshkim mund ta zëvendësojmë me një penalitet kohor prej 5 ose 10 minutash çka do t’i frikësonte ekipet. Është e vështirë të luash në inferioritet numerik dhe jo kur niveli shkon deri në 8 futbollistë. Duam gjithashtu të lejojmë më shumë se 3 zëvendësime. Muajin e kaluar Pep Guardiola më pyeti pse nuk lejojmë 6 ndërrime gjatë lojës”, tha Marco van Basten.

Holandezi shtoi gjithashtu se kërkon të implementojë një lloj “shoot out”, një fazë që do të zëvendësojë shtesat dhe penalltitë. Në këtë fazë, lojtari do të ketë kohë 8 sekonda për të mundur portierin.

Top Channel